Kanë përfunduar projektet finale për zgjerimin e rrugëve hyrëse dhe dalëse

Komuna e Gjakovës tashmë ka përfunduar projektet finale për zgjerimin e rrugëve hyrëse dhe dalëse në qytet si dhe projektet për unazën e madhe dhe të vogël të qytetit.
Sipas kryetares së komunës Mimoza Kusari – Lila, tashmë po priten konfirmimet për mbështetje financiare të këtyre projekteve qoftë nga qeveria e Kosovës qoftë nga donatorë të huaj, konfirmim i cili pritet të bëhet i ditur në vjeshten e këtij viti.
Komunarët kanë njoftuar se pas përfundimit të rrethrrotullimit në dalje në drejtim të Prizrenit, në atë pjesë tashmë është i gatshëm projekti për zgjerimin e rrugës prej rrethit deri tek ura e Terzive në fshatin Bishtazhin.
Gjithashtu, nga mjetet e buxhetit të Komunës si dhe nga mjetet e fituara në projektin DEMOS, në muajt e ardhshëm pranifikohet ndërtimi i dy rreth rrotullimeve, ai tek Stacioni i Autobusëve dhe ai në qendër të qytetit.
Gjithashtu në kaudër të këtyre projekteve, parashihet edhe ndërtimi i trotuarëve të rinjë dhe shtigjeve për biciklistë në rrugën “UÇK” dhe një pjesë të rrugës “Nënë Tereza”.
Sipas komunarëve, përgjithësisht deri në vitin 2017 pritet edhe ndërtimi i unazës së jashtme të qytetit dhe realizimi i projekteve të rrugëve me katër korsi në hyrje-daljet në drejtim të Prizrenit, Pejës dhe Prishtinës. Për në drejtim të Prishtinës është paraparë ndërtimi me katër korsi deri në fshatin Lugbunar.










