Kastrati: Teatri e ka të pamundur të bëjë planifikime afatagjate
Viti 2014 për skenën teatrore doli të jetë ndër vitet më të vështira, më të rënda e më joproduktive. Qytetet me teatro publike si Prishtina, Gjakova, Gjilani, Ferizaj, Mitrovica, Peja, Prizreni dhe Podujeva, vitin e kaluar i kanë mbajtur premierat e tyre me plot vështirësi sidomos në financim, duke i shtyrë ata të improvizojnë në punën e tyre krijuese dhe menaxhuese.
Skena teatrore publike në vend, që ka trashëguar problemet e vitit të kaluar, shpëtimin e vetëm duket ta ketë në ndërhyrjet në Ligjin për Teatro, i cili thuhet t’i ketë sjellë shumë komplikime teatrove publike sidomos në fushën e ndarjes së buxhetit.
Edi Kastrati, drejtor në Teatrin Profesionist në Gjakovë, thotë se teatri që ai udhëheqë nuk ka buxhet të caktuar dhe për këtë arsye nuk mund të bëhen planifikimet afatgjata. Sipas tij, që nga miratimi i Ligjit për Teatro, mënyra e financimit të teatrove të qyteteve është bërë përmes projekteve dhe për këtë arsye nuk mund të bëhen planifikime, por po punohet vetëm për projektin e radhës.
Sa i përket projekteve aktuale, Teatri i Gjakovës është duke punuar për premierën “Let’s have sex”, për të cilin kanë kërkuar rreth 20 mijë euro së pari nga Ministria e Kulturës, por edhe nga donatorët e tjerë./radiogjakova/