.
Published On: Thu, Jan 4th, 2018

Kërkohet hetim ndaj Gjokica Stanojeviç, pralajmërohet protesta për të shtunën

Share This
Tags

Përfaqësues të shoqërisë civile në Gjakovë kanë deponuar në Prokurorinë Themelore kërkesën për ngritje të aktakuzës për krime lufte kundër ish-kryetarit të Komunës së Gjakovës, Gjokica Stanojeviç.

Në letrën që shoqëria civile i ka dorëzuar kryeprokurorit në Gjakovë, Ali Selimaj thuhet se në bazë të dëshmive që posedojnë dhe në bazë të kodit penal të republikës së Kosovës, Gjokica Stanojeviçit duhet t’i ngritët aktakuza dhe të gjykohet për krimet e bëra ndaj popullatës civile në këtë komunë gjatë vitit 1998-1999.

Përfaqësuesja e këtyre OJQ-ve, Mevlyde Saraçi, u shpreh optimiste në ngritjen e kallëximit penal nga Prokuroria ndaj Stanojeviçit. Ajo kërkoi që si hap i parë që duhet të merret është ndalimi i hyrjes në Gjakovë të këtij ish-kryetait gjatë regjimit serb.

Një tjetër iniciues i kësaj kërkese, Ideal Zhaveli, u shpreh se të shtunën e 6 janarit do të protestohet përballë Kishës ortodokse kur edhe qytetarë serbë vizitojnë Gjakovën.

Sipas tij, protesta do të jetë paqësore, prandaj ka ftuar qytetarët e tjerë që t’ju bashkohen. Ai shtoi se në duar do të mbajnë foto si dëshmi të krimeve të kryera, sipas tij, nga njerëz që vijnë në Gjakovë.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ali Selimaj, tha se kërkesën për hetime do t’ia dorëzojë Prokurorisë Speciale e cila do të hetojë mbi pretendimet për krime lufte ndaj qytetarëve të Gjakovës nga Stanojeviç. /radiogjakova/