.
Published On: Sat, Aug 19th, 2017

Këshilli Rinor Lokal vendoset në ambientet e Konsullatës

Share This
Tags

Këshilli për Veprim Rinor Lokal në Gjakovës prej muajit shtator do të ketë kushte më të mira pune.

Komuna e Gjakovës i ka ndarë hapësirat e Konsullatës së Nderit të Republikës së Shqipërisë, për të vepruar ky këshill i cili rreth vetes mbledh shumë organizata rinore.

Andi Batusha, kryetar i Këshillit Rinor Lokal në Gjakovë, tha se kjo hapësirë do të shërbejë si pikë referimi e shoqërisë civile me fokus organizatat që kanë synim rininë.

Sipas tij, kjo hapësirë do të marrë formën e duhur pas nënshkrimit të dy donacioneve me organizata ndërkombëtare që deri më tani kanë qenë partnere të Këshillit për Veprim Lokal Rinor, e të cilat sipas tij kanë shprehur vullnetin për ta përkrahur këtë strukture.

Hapësira që do të shfrytëzohet nga Këshilli për Veprim Rinor Lokal para dy viteve është hapur si Konsullatë e Nderit të Republikës së Shqipërisë, mirëpo që gjatë kësaj periudhe nuk ka pasur ndonjë aktivitet.

Në Komunën e Gjakovës thanë se Këshilli për Veprim Rinor Lokal do të shfrytëzojë vetëm një pjesë të hapësirës, e cila do të vazhdojë të mbetet si Konsullatë Nderi e Shqipërisë./radiogjakova/