“Kjo është Gjakova” e Nesim Valës
Ka dalë nga shtypi libri me titull “Kjo është Gjakova”, me autor profesorin Nesim Vala. Libri që i kushtohet në tërësi Gjakovës, në fakt është një prezantim i këtij qyteti në aspektin historiko – gjeografik dhe atë etnologjik, prezantim për të cilin autori Vala thotë se ka punuar një kohë të gjatë.
Sipas autorit për grumbullimin e të gjitha shënimeve janë nevojitur vite të tëra, por fatkeqësisht çdo gjë e mbledhur është shkatërruar gjatë luftës së vitit 1999. Pas kësaj, Vala është detyruar t’i rikthehet punës dhe pas një pune intensive mbi 3 vjeçare, ka arritur që ta nxjerrë në dritë këtë libër. Ndryshe, libri flet për qytetin e Gjakovës që nga themelimi, duke përshkruar zhvillimin e tij në të gjitha etapat dhe në të gjitha sferat, deri në fund të shekullit 20-të, përkatësisht deri në luftën e vitit 1999.
Lexuesit në këtë libër mund të mësojnë për pozitën dhe karakteristikat gjeografike të Gjakovës, historinë e arsimit, kulturës, sportit, shëndetësisë, religjionit, e çdo sfere tjetër të jetës dhe përditshmërisë në qytetin e Gjakovës. Libri “Kjo është Gjakova” e autorit Nesim Vala, mund të jetë një orientim i mirë për të gjithë ata që duan të mësojnë më shumë për qytetin e Gjakovës, dhe si i tillë preferohet si një dhuratë e mirë që një qytetar i Gjakovës mund t`ja japë dikujt nga ndonjë qytet tjetër./radiogjakova/