.
Published On: Mon, Jul 13th, 2015

Klubi Rotarian i Gjakovës shënon 15-vjetorin e themelimit

Share This
Tags

11745526_705190792919638_822835654017262392_n

Jubile ky që njëkohësisht shënon edhe fillimin e aktivitetit rotarian në Kosovë, meqë klubi Rotarian i Gjakovës, është klubi i parë i tillë, i themeluar në Kosovë. Në një ceremoni të organizuar me këtë rast, morën pjesë rotarian nga e tërë Kosova, por nuk munguan as rotarian të ftuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Themeluesi dhe kryetari i parë i klubit Rotarian në Gjakovë Ruzhdi Bakalli, ka thënë me këtë rast se suksesi i rotarianëve kosovarë është mjaft i madh 15 vjet pas fillimit aktivitetit, sukses i cili as që është imagjinuar 15 vjet më pare, teksa ka shtuar se ai dhe rotarianët kosovar kanë plane dhe synime shumë më të mëdha.

Në këtë ceremoni ka folur edhe Mazllum Belegu, anëtar i bordit treshtetëror Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, asociacion i cili grumbullon rotarianët e këtyre 3 shteteve. Ai e ka vlerësuar lartë angazhimin e rotarianëve gjakovarë, teksa ka kërkuar që ky angazhim të rritet edhe më shumë në të ardhmen, jo vetëm në Gjakovë por tek rotarianët në të gjitha trevat shqiptare.

E porosi për rritje të rotarianëve dhe zgjerim të aktivitetit human të tyre ka pasur edhe kryetarja e komunës së Gjakovës Mimoza Kusari – Lila, e cila ka thënë se ndihma që këta njerëz japin për komunitetin është shembulli më i mirë për qytetarët e Kosovës.

Nga ana tjetër, kryetari aktual i klubit Rotarian nga Gjakova, Skënder Gola, ka thënë se ky klub që po zgjerohet çdo ditë e më shumë, po vazhdon që me sukses dhe me dëshirë të jetë në shërbim të komunitetit. Ai ka premtuar se rotarianët gjakvoarë do të jenë shumë aktiv në ditët që vijnë.

Ndryshe, në këtë takim, rotarianët kanë bërë një rikapitulim të aktivitetit, konkretisht ndihmave që ata kanë siguruar për komunitetin, ndërsa mes tyre kanë pëmendur, paisjet për dializë në Spitalin “Isa Grezda”, dhjetra kamionë për zjarrfikësit e Gjakovës, Deçanit, Junikut, Bajram Currit, dhjetra automabulanca dhe paisje mjeksore për QKMF-në e Gjakovës, qendra komjuterike për disa shkolla në Gjakovë, sistemin e ngrohjes për institucionin parashkollor “Ganimete Terbeshi” e të tjera.