.
Published On: Fri, Sep 19th, 2014

Komuna dhe “Radoniqi” mendojnë për Gerqinën

Share This
Tags

mimoza-gerqinNë kuadër të përpjekjeve për të përmirësuar furnizimin me ujë të pijes për banorët e komunës së Gjakovës, pritet të nënshkruhet marrëveshja ndërmjet komunës së Gjakovës dhe Kompanisë Rajonale të Ujërave “Radoniqi” për rindërtimin, përkatësisht rehabilitimin e rrjetit të ujësjellësit për fshatin Gërqinë.

Si jemi njoftuar nga Burim Meqa, drejtori i Drejtorisë komunale të Shërbimeve Publike, bëhet fjalë për një projekt të përbashkët të  “Radoniqit”  me Kuvendin e Komunës në vlerë prej 160 mijë euro, prej të cilave 80% apo 128 mijë euro do të jetë  investim i KRU “Radoniqi”, ndërkaq pjesën tjetër do të investojë komuna e Gjakovës.

Sipas drejtorit Meqa, marrë në tërësi, në kuadër të këtij projekti do të rehabilitohet rrjeti ekzistues përkatësisht ujëmbledhësi i fshatit, ndërkohë që do të ndërtohet pusi i ri dhe sistemi përkatës, pastaj një pjesë e rrjetit të ri në gjatësi prej 13 mijë metrave, ku do të vendosën gypa të llojeve të ndryshme,  si dhe do të ndërtohet një rezervuar i ujit me kapacitet prej 200 metra kub.

Menaxhimin e furnizimit me ujë  për banorët e fshatit Gërqinë do ta bënë kompania “Radoniqi”, e cila do ta bënë edhe mirëmbajtjen e rrjetit, ndërkohë që për të gjithë shfrytëzuesit do të vendosën orëmatësit përkatës./radiogjakova/