Komuna e Gjakovës ka ndarë sivjet më pak mjete për shërimin e pacientëve
Komuna e Gjakovës ka ndarë sivjet më pak mjete për shërimin e pacientëve ndërsa numri i kërkesave ka qenë dukshëm më i madh sesa viteve të fundit. Kjo ka ndodhë për shkak se fondi komunal për ndihmë personave të sëmurë ka qenë përgjysmë më i vogël se në vitet e kaluara. Përpara ky fond ishte 80 mijë euro. Bordi i Drejtorëve të komunës së Gjakovës në mbledhjen e djeshme ka aprovuar listën e personave të cilët kanë përfituar mbështetje nga ana e komunës për shërim. Basri Komoni, drejtor i Drejtorisë komunale për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, ka thënë se nga fondi i tërësishëm i kësaj drejtorie për subvencione në lartësi prej 40 mijë euro, 80 përqind apo 32 mijë euro janë subvencione shëndetësore, ndërkohë që kjo shumë as përsëafërmi nuk i plotëson kërkesat e shumta të qytetarëve për ndihmë të trajtimit mjekësor.
Nisur nga kërkesat e mëdha dhe ndjeshmëria që ka i gjithë ky proces, drejtori Komoni ka thënë se është formuar një komision gjithëpërfshirës në mënyrë që ndarja të jetë sa më e drejtë, përkatësisht duke respektuar në përpikëri kriteret e përcaktuara.
Ndryshe, nga gjithsejtë 32 mijë euro të ndara për subvencione për shërim, nga Kuvendi i komunës së Gjakovës, përkatësisht Drejtoria komunale për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, 45 individ kanë përfituar nga 400 euro, 27 sosh nga 250 euro, 39 nga 100 dhe 50 aplikues kanë përfituar nga 50 euro.










