.
Published On: Tue, Aug 16th, 2016

Komuna e Gjakovës kërkon hapësirë për ndërtimin e tregut të ri

Share This
Tags

Anipse komuna kishte paralajmëruar se tregu kryesor i gjelbër tek ura e Tabakut, do të mbyllet, tregtimi i pemëve dhe perimeve në këto hapësira ka vazhduar, përkundër këtij njohtimi. Në Drejtorinë komunale për Punë Inspektuese thonë se prona në fjalë është pronë e Ministrisë së Arsimit, dhe marrja e masave në këtë drejtim duhet bërë nga ana e kësaj ministrie.

Në Rektoratin e Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”, thonë se në bazë të marrëveshjes së bërë me komunën, hapësira e tregut aktual, duhet dorëzuar rektoratit të Gjakovës, përkatësisht MASHT-it, e pastruar dhe e gatshme për fillimin e ekzekutimit të punimeve për ndërtimin e Kampusit Universitar, punime këto të cilat tashmë është dashur të fillojnë.

Bazuar në vendimin e Bordit të Drejtorëve dhe nevojën për hapësira të mjaftueshme për ekspozim dhe tregtim të mallrave ushqimore me shumicë, Komuna e Gjakovës ka ftuar të interesuarit për ofrimin e pronës private për shfrytëzim për tregun e ri me shumicë i cili do të ndërtohet në Gjakovë. Një vendim i tillë ka ardhë si rrjedhojë e fillimit të punëve në ndërtim të Kampusit Universitar në hapësirat të cilat aktualisht shfrytëzohet si treg me shumicë, dhe mungesës së hapësirës së nevojshme publike në pronësi Komunale. Sipas kritereve të përcaktuara hapësira e cila do të ofrohet duhet të jetë në pjesën Jugore, Juglindore ose Jugpërendimore të qytetit në rrezen prej maksimum 2.5 km nga qendra e qytetit dhe duhet të ketë sipërfaqe të mjaftueshme për këtë veprimtari nga 8 mijë metra katror e më shumë.