.
Published On: Thu, Feb 12th, 2015

Komuna e Gjakovës nuk zbaton rregulloren për përdorimin e gjuhëve të huaja

Share This
Tags

bordi-drejtoreveAnëtarët e Qeverisë komunale me këtë rast mes tjerash kanë shqyrtuar edhe të gjeturat nga Plani i Veprimit për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit për vitin 2014. Në raportin e prezantuar thuhet se komuna e Gjakovës nuk zbaton rregulloren për përdorimin e gjuhëve të huaja, ndërkohë që komuna nuk ka fare përkthyes të gjuhëve zyrtare.

Pos kësaj sipas të gjeturave të këtij raporti në komunën e Gjakovës ende nuk është bërë themelimi i Auditimit të brendshëm si dhe i Zyrës për promovimin e investimeve. Në anën tjetër komuna e Gjakovës nuk ka nënshkruar asnjë marrëveshje të bashkëpunimit me bizneset apo shkollat sa i përket shkollave profesionale për kryerjen e praktikës së nxënësve në kompanitë përkatëse.

Lidhur me zbatimin e strategjisë dhe planit të veprimit kundër korrupsionit, sipas të gjeturave nga Plani i Veprimit për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit për vitin 2014, komuna e Gjakovës ka pranuar njoftime nga organet kompetente për rastet e krimit të organizuar, kurse lidhur me rastet e raportuara dhe të trajtuara, për konflikt të interesit ka gjithsejtë 7 raste të evidentuara, nga të cilat 6 janë për keqpërdorim të detyrës dhe një për konflikt të interesit, përkatësisht për punësim të dyfishtë.

Ndryshe, në mbledhjen e Qeverisë komunale në Gjakovë, është shqyrtuar edhe Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Komunës së Gjakovës dhe Shkollës së mesme Profesionale “Gjon Nikollë Kazazi” për mundësinë e vazhdimit të shkollimit të veteranëve  të luftës  të cilët nuk e kanë përfunduar shkollimin, dhe i cili ka të bëjë me aftësime të ndryshme profesionale.

Një pikë tjetër e rendit të ditës ka qenë edhe Formimi i Komisionit për Vlerësimin e Infrastrukturës Shkollore në Gjakovë, vlerësim ky i cili duhet t’i dorëzohet Komisionit Parlamentar për Arsim, Kulturë dhe Sport. Pos kësaj në këtë mbledhje është bërë fjalë edhe për Konferencën Rajonale mbi Sfidat dhe të Arriturat e Gruas Shqiptare në periudhën e pas luftës, konferencë kjo e cila me 8 mars do të mbahet në Gjakovë, ndërkohë që janë shqyrtuar  edhe një varg çështjesh tjera nga fushëveprimi i Qeverisë lokale./radiogjakova/