Komuna ua siguron drutë për ngrohje institucioneve publike
Gjakovë- Drejtoria e Administratës në Komunën e Gjakovës ka arritur që të zgjidh problemin e krijuar nga neglizhenca e qeverisjes së kaluar për furnizimin me lëndë djegëse, gjegjësisht dru për ngrohje për të gjitha shkollat, qendrat e mjekësisë familjare dhe zyret e vendit në Komunën e Gjakovës, thuhet ne deklaraten e Zyrës për Informim.
Tashmë është arritur që të sigurohen 1860 metra dru për shfrytëzim deri në fund të sezonit dimëror. Drejtoria e Administratës, përmes një kërkese zyrtare ka kërkuar nga OSHP-ja (Organi Shqyrtues i Prokurimit) që të mundësojë përmes një kontrate me kushte specifike furnizimin me lëndë djegëse për disa institucione publike të Komunës së Gjakovës.
Kërkesa nga këto institucione për furnizim me dru ishte parashtruar para gjashtë muajsh, mirëpo për shkak të neglizhencës së qeverisjes së kaluar nuk kishte gjetur mbështetje. Gjatë këtyre dy ditëve pritet shpërndarja e drunjëve për ngrohje, duke mundësuar ngrohje për të gjithë personelim mësimor dhe nxënësit, personelin shëndetësor të mjekësisë primare dhe vet pacientët, si dhe për punëtorët e administratës në zyret e vendit.










