.
Published On: Wed, Mar 28th, 2018

Konfiskohen 260 kilogramë produkte mishi në Gjakovë

Share This
Tags

Rreth 260 kilogramë produkte mishi janë konfiskuar nga Inspektorati i Komunës së Gjakovës dhe inspektorë të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës e Kosovës gjatë një kontrolli të bërë gjatë së martës në biznese të ndryshme që tregtojnë produkte mishi në Gjakovë.

Drejtori për Punë Inspektuese, Nikollë Lleshi tha se gjatë inspektimit në disa biznese që merren me prodhimin dhe shitjen e produkteve të mishit, kanë hasur dhe kanë konfiskuar një sasi të mishit industrial, suxhuk dhe mish nga prodhimet e shpezëve.

Arsyeja e konfiskimit për një pjesë të këtyre produkteve ka qenë dëmtimi i cilësisë dhe skadimi i afatit. E gjithë sasia e konfiskuar është asgjësuar.

Ky aksion është bërë në kuadër të aktiviteteve të kësaj drejtorie, por edhe pas informatave nga komunat e tjera për gjetje dhe konfiskim të produkteve të mishit jocilësor dhe me afat të skaduar.

Drejtori Lleshi tha se aksionet e tilla do të jenë të përhershme gjatë ditëve të ardhshme nga inspektorët e komunës së Gjakovës.

Ndryshe, kohëve të fundit në nivel vendor, çështja e prodhimeve jocilësore dhe me afat të skaduar të prodhimit të mishit është bërë problem, për shkak të produkteve të dyshimta që kanë ardhur në vendin tonë, por edhe mungesës së kushteve jo të mira në kompani që merren me prodhimin e produkteve të mishit./radiogjakova/