Konvikti “Sadik Stavileci” në gjendje të rëndë
Konvikti “Sadik Stavileci” në Gjakovë vazhdon të funksionojë në gjendje të rëndë, për faktin se ka shumë vjet që asnjë investim nuk është bërë në këtë institucion. Nxënësit dhe studentët, banorë të konviktit, thonë se objekti ka mungesë të ngrohjes.
Kjo për arsye se konvikti është i lidhur me sistemin e Ngrohtores së qytetit, i cili nuk e ka furnizuar me ngrohje të rregullt, ndërsa sivjet as nuk është ndezur. Sipas tyre, i vetmi segment cilësor është ushqimi, ndërsa gjithçka tjetër është në gjendje të keqe.
E këtë gjendje e konfirmojnë edhe drejtuesit e konviktit. Sipas tyre, investimi i fundit më serioz ka qenë në vitin 2008 nga ana e KFOR-it italin dhe prej atëherë askush nuk ka ndërhyrë në këtë objekt.
Drejtori i konviktit, Aqif Shehu, tha se ky objekt është lënë anash nga investimet dhe se nuk është interesuar askush, edhe pse ka qenë e ditur se do të hapet Universiteti i Gjakovës dhe konvikti do të jetë i domosdoshëm për studentët. Nga ana tjetër, në komunën e Gjakovës thonë se vitin tjetër do të bëhet rikonstruktimi i objektit dhe kjo falë agjencisë turke TIKA./radiogjakova/










