.
Published On: Fri, Jul 14th, 2017

Kremtohet Dita e Teqesë në Gjakovë

Share This
Tags

Komuniteti bektashian kremtoi Ditën e Teqesë në Gjakovë. Me këtë rast u organizuan aktivitete të ndryshme, ndërsa në qendër të vëmendjes ishte takimi, ku u fol për rolin historik të Teqesë së Gjakovës dhe kontributin e Baba Qazim Bakallit njërit prej udhëheqësve më të njohur të kësaj teqeje.

Në këtë takim mori pjesë edhe Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, i cili vlerësoi lartë kontributin e teqesë së bektashinjve në Gjakovë, ndërsa në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës foli Resul Rexhepi.

Konferenca me titull “Teqeja Bektashiane e Gjakovës vatër e atdhetarizmit” që u mbajt në Hotel “Pashtriku” mblodhi edhe mysafirë të shumtë. Për tolerancën fetare foli Dom Lush Gjergji.

Duke vlerësuar lartë rolin e teqesë së bektashinjve, baba Mumin Lama i bëri një vështrim rrugëtimit të kësaj teqeje, ndërkaq për kontributin e Baba Qazim Bakallit u lexua një kumtesë e përgatitur nga Tahir Bakalli e të cilën e lexoi Agim Jaka.

Mes të ftuarve, i pranishëm ishte edhe Albin Kurti, i nominuar për kryeministër të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje./radiogjakova/