KRU “Radoniqi” fal mbi 2 milionë euro borxhe
Qytetarët e komunës së Gjakovës kanë mundësi të përfitojnë edhe pak ditë nga Ligji për Faljen e Borxheve për ndërmarrjet publike. Ligji parasheh faljen e borxhit nga viti 1999 deri më 2008 me kusht që borxhi i akumuluar nga 1 janar 2009 deri më 31 dhjetor 2014 të paguhet.
Në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Radoniqi” mbi 7 mijë persona kanë hyrë në këtë procedurë, ndërsa kjo kompani deri më tani ka falur mbi 2 milionë euro borxhe.
Zëdhënësja e kësaj kompanie, Kaltrina Rudi, thotë se “Radoniqi” ka në program të falë mbi 6 milionë euro borxhe.
Personat që përfshihen në procedurën e faljes së borxhit nënshkruajnë një kontratë me KRU “Radoniqi” në mënyrë që borxhi të paguhet me këste. Por, të njëjtit duhet të bëjnë kujdes që të pagujnë këstet me rregull, pasi vonesa në dy muaj iu rikthen të gjithë borxhin e vjetër.
Zëdhënësja e Kompanisë “Radoniqi”, Kaltrina Rudi, fton të gjithë konsumatorët që mund të shfrytëzojnë këtë ligj ta bëjnë sa më parë, pasi nga 1 shtatori i këtij viti kjo kompani do të dërgojë të gjithë borxhlinjtë tek përmbaruesit privatë./radiogjakova/