.
Published On: Mon, Nov 18th, 2013

Kryqi Kuq i Gjakovës apelon për ndihma

Share This
Tags

kryqi-kuq-aktivitetGjakovë- Muaji i Solidaritetit, aktivitet ky i filluar nga organizata komunale e Kryqit të Kuq të Gjakovës me 1 tetor, e i cili ishte paraparë të përfundonte me 1 nëntor, ka vazhduar edhe gjatë këtij muaji.

Këtë e ka konfirmuar sekretarja e Kryqit të Kuq Dushe Lama, e cila ka bërë të ditur se zgjatja e këtij aktiviteti edhe për një muaj është bërë për faktin se gjatë muajit tetor nuk ka pas shumë donacione e nga ana tjetër nevoja për grumbullimin e tyre është shumë e madhe.

Lama ka bërë të ditur se ndryshe nga muaji tetor, në muajin e dytë të këtij aktiviteti po vërehet një interesim më i madh i njerëzve për të dhënë donacione e ndihma të ndryshme për njerëzit në nevojë. Ajo ka bërë të ditur se ka paralajmërimin e disa shkollave, nxënësit e së cilave kanë vendosur që të grumbullojnë e të dorëzojnë në mënyrë të organizuar donacionet e tyre.

Megjithatë, Lama ka apeluar tek qytetarët e Gjakovës që të japin donacione me mundësitë e tyre, e mbi të gjitha të anëtarësohen në Kryqin e Kuq, sepse me pagesën e anëtarësimit mundësojnë sigurimin e ndihmave për nevojtarët.

Ajo ka apeluar veçanërisht tek pronarët e marketeve të mëdha që të japin ndihma në ndryshme në ushqim, artikuj higjenike e veshmbathje sepse në komunën e Gjakovës çdo ditë e më tepër po zvogëlohet lista e dhuruesve, teksa po rritet lista e nevojtarëve./radiogjakova/