Kujtohen dëshmorët Lleshi
Të hënën u nderuan dëshmorët Mark, Kolë, Pren dhe Memë Lleshi të cilët 19-vite më parë ranë heroikisht në rezistencën ndaj pushtuesit serb.
Me këtë rast, familjarë, miq dhe zyrtarë të lartë bënë homazhe pranë lapidarit në fshatin Vraniq.
Deputeti dhe kreu i degës së PDK-së në Gjakovë, Hajdar Beqa, tha se “Gjakova dhe Kosova krenohet me këta trima, prandaj ne të gjallët i përkulemi me respekt gjithmonë deshmorëve të kombit, dhe kujtimi e respekti për ta do të jetë i përhershëm dhe për jetë të jetëve”.
Edhe deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, nderoi veprën e dëshmorëve Lleshi të cilët zgjodhën rrugën e përjetësisë që të mos dorëzohen në dorën e makinerisë së forcave të ushtrisë së Serbisë.
“Rezistenca e kësaj familje sikur edhe e shumë e shumë familjeve të tjera ishte qëndresë heroike në mbrojtje të pragut të shtëpisë dhe mesazh i fortë për pushtuesin se vetëm të vdekur e lëshojmë tokën dhe shtëpitë tona”, u shpreh Lekaj./radiogjakova/