Kujtohen dëshmorët Tomë e Benhard Komani
Të martën në mesditë në fshatin Zhub u zbulua memoriali për dëshmorët Tomë e Benhard Komani që u vranë në pritë nga ushtarët serbë më 1 gusht 1997.
Në këtë ceremoni morën pjesë zyrtarë lokalë, deputetë dhe përfaqësues të Qeverisë së Kosovës.
Kryetarja e dorëhequr dhe deputetja e zgjedhur e Alternativës, Mimoza Kusari, ngriti lartë figurën e këtyre dy dëshmorëve. Ajo tha se tani duhet të respektojmë amanetin e të gjithë dëshmorëve dhe të punojmë për të mirën e vendit.
Për sakrificën dhe veprën e dëshmorëve Tomë e Benhard Komani të cilët ranë në vijën e ndarjes së padrejtë të shqiptarëve foli edhe deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, që u shpreh se dëshmorët na tregojnë se sakrificat e mëdha janë për njerëz të mëdhenj, e sipas tij, kjo ua jep madhështinë piedestale të pavdekësisë atyre që u flijuan ndër breza e vite deri të çlirimi i Kosovës.
Me dhimbje dhe krenari në këtë tubim përkujtimor folën edhe familjarë dhe miq të dëshmorëve të cilët i kujtuan ata në 20-vjetorin e rënies së tyre./radiogjakova/