.
Published On: Sun, May 7th, 2017

Kujtohet Epopeja e Çabratit

Share This
Tags

Në Gjakovë u kujtua 18-vjetori i Epopesë së Çabratit, në të cilën për lirinë e Kosovës u flijuan dhjetëra dëshmorë e martirë të kombit.

Kjo betejë ishte e rëndësishme për faktin se misioni i luftëtarëve të lirisë ishte mbrojtja e mijëra civilëve në qytetin e Gjakovës.

Në shenjë kujtimi dhe nderimi për jetën e dëshmorëve të lirisë, të rënë heroikisht me datat 7, 8 dhe 9 Maj të vitit 1999, si dhe betejës së lavdishme të Çabratit, Brigada “137 Gjakova” e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, organizoi homazhe dhe vendosi kurora me lule mbi varret e luftëtarëve të lirisë.

Me rastin e këtij përvjetori kryetarja e komunës së Gjakovës, Miomoza Kusari Lila, tha se, nuk do të ketë njeri të gjallë që mbijetoi luftën dhe nuk e mban një datë në këtë stinë që e bën zemrën të pikojë lot.

“Sot pikojnë lot në 91 familje në Gjakovë dhe në të gjitha tjerat që bashkëndiejnë me to. Në betejën e 7,8 dhe 9 Majit në qytetin e Gjakovës kanë rënë 7 dëshmorë dhe 41 civilë. Po ashtu, më 7 e 8 maj janë rrëmbyer dhe zhdukur 43 qytetarë të lagjes ku u zhvillua beteja rrëzë Çabratit. Emrat e tyre janë skalitur në themelet e lirisë tonë, ndërsa jeta e tyre u këput në gjysmë që tjerët që vijnë pas të ndiejnë rrezet e diellit të jetës”, u shpreh Kusari-Lila.