Kurban Bajrami, ndihma për familjet në nevojë
Në vigjilje të Festës së Kurban Bajramit, dega e organizatës së Kryqit të Kuq në Gjakovë po ndihmon familjet skamnore në mënyrë që edhe ato, sikurse edhe familjet tjera të festojnë pranë tryzës së begatshme.
Kështu vullnetarët e kësaj organizate bamirëse për festën e Kurban Bajramit kanë shpërndarë veshmbathje dhe patate për familjet e varfëra në Netic dhe Koloni.
Veshmbathjet janë të dhuruara nga qytetarët, ndërsa 52 thasë patate janë siguruar falë zemërgjërësisë së Shkollës Fillore “Deshmoret e Kombit” nga Shqiponja. Përpos kësaj dega e Kryqit të Kuq në Gjakovë ka bërë shperndarjen e veshmbathjes në paralagjën e Brekocit.
Në anën tjetër, me donacion nga KFORI, me artikuj ushqimorë dhe veshmbathje është ndihmuar një familje në fshatin Kralan.
Në këtë kuadër, si jemi njoftuar nga sekretarja e Kryqit të Kuq në Gjakovë, Fëllënza Bakija-Lama, gjatë së enjtes janë ndihmuar edhe 60 familje të tjera, ndihma këto të mbledhura nga vullnetarët e Kryqit të Kuq gjatë muajit të solidaritetit.
Bëhet fjalë për veshbathje të reja përkatësisht xhaketa, pantolona e të tjera, të cilat janë dhuruar nga kompania “Albi MC”, pastaj nga Valon Rraci, Luan Hasi e të tjerë.
Sekretarja Bakija–Lama, fton të gjithë njerëzit vullnetmirë, që deri në orët e mbrëmjës në organizatën e Kryqit të Kuq në Gjakovë të sjellin dhurata për familjet skamnore në natën e festës së Kurban Bajramit.
Me rastin e festës së Kurban Bajramit, edhe Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Gjakovë dhe shoqata “Bereqeti” kanë shpërndarë mish të kurbanit për 120 familje të komunës së Gjakovës.
Poashtu, të premten pas ritualit të faljes së Bajramit, edhe Këshilli i Bashkësisë Islame të Gjakovës do të shpërndajë në mënyrë të organizuar mishin e kurbanit për rreth 500 familje./radiogjakova/