.
Published On: Tue, Jan 20th, 2015

Kurti dhe Kumnova ftojnë për protestë gjithëpopullore në Prishtinë

Share This
Tags

kurti-caushi-kumnovaShoqata “Thirrjet e Nënave” dhe Lëvizja Vetëvendosje mbajtën konferencë për media ku u bënë thirrje qytetarëve që të shtunën, më 24 janar, në ora 14:00, të bashkohen në marshin protestues që do të mbahet në Prishtinë për shkarkimin e ministrit Jabllanoviq dhe në mbrojtje të pasurisë kombëtare, kompleksit Trepça.

Nysrete Kumnova nga shoqata “Thirrjet e Nënave” tha se kjo protestë gjithëpopullore po bëhet për të shprehur indinjatën kundrejt ministrit Aleksandër Jabllanoviq. “Përmes kësaj proteste do të kërkojmë shkarkimin e menjëhershëm të Jabllanoviqit. I ftojmë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjithë ata që ndihen të ofenduar nga deklaratat e Jablloniviqit që të marrin pjesë sa më masivisht në këtë protestë”, bëri thirrje Kumnova

Koordinatori i Qendrës së Vetëvendosjes në Gjakovë, Driton Çaushi, tha se kërkesat tona mbeten të njëjta, ashtu siç janë përsëritur në Gjakovë dhe në protestat nëpër qytetet e tjera që kishin të njëjtin qëllim. “Ne kemi dëgjuar dje se është kërkuar falje, ose është pretenduar për një gjë të tillë, por që nga momenti kur Jabllanoviq nuk i njeh masakrat gjatë luftës së Kosovës, çdo qëndrim apo prononcim i tij është i parëndësishëm”, tha Çaushi.

Kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti, u bëri thirrje organizatave joqeveritare, partive politike dhe anëtarësive të tyre, pra të gjithë qytetarëve pa dallim, që të bashkohen në këtë marsh protestues deri në realizimin e kërkesave të përbashkëta. “Nuk mund ta ndërtojmë shtetin, nuk mund ta zhvillojmë Republikën, përderisa Qeveria e Kosovës mbetet peng e këtyre njerëzve që me direktiva nga Beogradi shtiren sikur nuk e dinë që ka pasur krime dhe masakra në Kosovë”, ka thënë Kurti,/radiogjakova/