Kusari-Lila dyshon në zyrtarët e Kadastrës
Gjakovë- Kryetarja e komunës së Gjakovës Mimoza Kusari–Lila ka akuzuar zyrtarë të drejtorive komunale të qeverisë në largim, se po punojnë edhe gjatë natës, duke larguar dokumente, ndërsa me theks të veçantë ka përmendur Drejtorinë e Kadastrës dhe Gjeodezisë dhe atë të Arsimit.
Ajo ka thënë se nga Kadastra dhe Zyra e Pronave po largohet material i ndjeshëm që sipas të gjitha gjasave e ka për qëllim fshehjen e veprimeve të paligjshme të koalicionit aktual. Megjithatë, kryetarja e re thotë se është konsultuar me Ministrinë e Pushtetit dhe Administratës Publike dhe ka marrë vesh që ajo do të ketë të drejtë të kërkojë që komuna e Gjakovës të auditohet jo vetëm në aspektin financiar, por edhe atë ligjor.
Arsyeja pse kryetarja e parë femër e një komune të Kosovës kërkon edhe auditim ligjor është se Kusari-Lila është në dijeni për një mori veprimesh joligjore që po merren shpejt e shpejt nga administrata aktuale. “Po merren aktvendime për punësim të përhershëm, leje për ndërtime ilegale…e tjera. Me një fjalë po merren gjithëfarë vendimesh në masë të madhe. Por, ata që po shpresojnë të kryejnë punë shpejt e shpejt, ta dinë që këto vendime do të jenë objekt i shqyrtimit dhe verifikimit. Unë e kam cekur në vazhdimësi se keqpërdorimi i pronës publike, fondeve publike, çfarëdo që kanë bërë nuk do të mund t’i fshehin”, ka thënë Kusari – Lila./radiogjakova/