Kusari – Lila: Gjakova ofron mundësi të shumta për të rinjtë
“Në Gjakovë kemi të diplomuar me tepricë në drejtimet e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, Historisë dhe Edukatës Qytetare apo edhe Infermierisë, profesione këto që janë të mbipopulluara në institucionet përkatëse. Tashmë ka ardhur kohë që bashkërisht të gjejmë forma dhe mundësi që studentët e ardhshëm të gjejnë profesione për të cilat ka treg të mjaftueshëm të punës e jo të koncentrohet në keto ofesione, në të cilat tashmë kemi mbipopullim”, ka thënë kryetarja e komunes Mimoza Kusari – Lila në një takim që në Gjakovë e mbajti Instituti për Demokraci dhe Zhvillim, me temë. “Rinia dhe Individualiteti” e ku u tha se sistemi aktual shkollor, ka nevojë për një riorganizim më ndryshe, duke krijuar qasje më profesionale.
Përfaqësuesi i rinisë gjakovare- i Këshillit për Veprim Rinor Lokal, Andi Batusha ka thënë se qasja e qeverisjes lokale ka ndryshuar dukshëm në dy vitet e fundit, pasi përkrahja dhe mundësia e bashkëpunimit është shumë fishuar. Megjithatë, pengesë për projektet Rinore po vazhdon të jetë niveli qëndror i qeverisjes, qe nuk po i përkrahë në masë të kënaqshme të rinjtë e Gjakovës. Pjesë e panelit debatues kanë qenë edhe Lekë Zherka nga “Bone Vet”, dhe Butrint Batalli, njëri prej afaristëve të suksesshëm të komunës së Gjakovës. Ky ishte debati i tretë nga seria e salloneve për të rinj, organizuar në bashkëpunim me Departamentin e Rinisë të Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve dhe “Friedich Ebert- Stiftung” ne Prishtinë