Kusari-Lila shkëput koalicionin me PDK-në
Kryetarja e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, ka shkëputur koalicionin me Partinë Demokratike të Kosovës për nivelin lokal.
“Ky vendim vjen si pasojë e rënies së vazhdueshme të përformancës dhe dhënia e përparësisë përfitimeve politike e jo atyre të përgjithshme nga ana e drejtorëve të PDK-së”, thuhet në arsyetimin e Kusari-Lilës.
PDK në qeverinë lokale të Gjakovës ka udhëhequr me tri drejtori, Punë Inspektuese, të Shërbimeve Publike dhe Drejtorinë e Arsimit. Po ashtu kjo parti ka pasur edhe pozitën e nënkryetarit të komunës.
Të gjithë drejtorët që kanë udhëhequr me këto drejtori, përkatësisht Gani Veseli, Shkumbin Kastrati, Diana Qarkaxhija dhe nënkryetari Ramadan Hoti, nga 15 qershori janë të liruar nga detyra.
Për këtë vendim kryetarja Kusari Lila ka njoftuar edhe kreun e PDK-së në Gjakovë, Hajdar Beqa.
“Ashtu sikur ju kam mbajtur të informuar disa herë deri më tani, unë kam shprehur pakënaqësitë lidhur me performancën e drejtorëve të dërguar nga PDK. Problemi kryesor ka qenë të orientohen nga vendimmarrja institucionale dhe jo vetëm politike”, thuhet ndër të tjera në letrën që Kusari Lila i ka dërguar kreut të PDK-së, duke arsyetuar vendimin për shkëputjen e bashkëqeverisjes./radiogjakova/