.
Published On: Wed, Oct 1st, 2014

Kusari-Lila: Shpejt dalim nga kriza

Share This
Tags

komuna-gjkKryetarja e komunës së Gjakovës Mimoza Kusari–Lila ka thënë se komuna është shumë afër për të dalë nga kriza financiare e shkaktuar nga borxhet e shumta që kishte lënë ish – qeverisja. Sipas saj, në këtë ka ndikuar menaxhimi i mirë i parasë publike, por mbi të gjitha ndikimin më të madh e ka pasur ndihma e pa kursyer që Gjakova e ka pas nga miqtë e saj, donatorë të ndryshëm të huaj e vendor, të cilët me mjetet e veta kanë mundësuar të realizohen disa projekte, ndërsa me buxhetin e sajë komuna të paguaj borxhet e trashëguara.

Kusari– Lila ka thënë se në periudhën janar–qershor të vitit 2014, 2/3 e mjeteve të dedikuara për investime kapitale kanë shkuar në pagesë të borxheve, ndërsa vetëm 1/3 është investuar në projekte konkrete. E për realizimin e projekteve, Kusari–Lila ka bërë të ditur se gjatë të njëjtës periudhë, komuna ka përfituar nga donatorët 2 milion 380 mijë euro. Ajo ka përmendur disa prej këtyre donacioneve, ndërsa si më të madhin e ka potencuar projektin e për rrjetin e ujësjellësit, për të cilin qeveria zvicerane ka dhënë 1 milion e 350 mijë euro.

Ky projekt nis së zbatuari në këtë muaj dhe parashihet të përfundoi tërësisht në vitin 2017, me ç’rast rreth 95 përqind e territorit të komunës së Gjakovës do të bëhet me rrjet të ujit të pijes. Pas kësaj, Kusari–Lila ka përmendur projektin për ndërtimin e rrugës Bardhaniq–Dashinoc, rrugë kjo e cila lidhë komunën e Gjakovës me atë të Deçanit. Për këtë projekt që fillon me 12 tetor, ministria e Infrastrukturës e Kosovës ka dhënë 600 mijë euro.

Projekti i radhës është ndërtimi i objektit të ri të Çerdhes së Devesë, për të cilin ministria e Pushtetit lokal ka dhënë 150 mijë euro. Në mesin e donatorëve gjithashtu prezent ka qenë edhe fondacioni “Behxhet Pacolli”. Ky fonacion ka dhënë 50 mijë euro për ndërtimin e parkut të Ali Podrimës dhe 50 mijë euro për projektin e digjitalizimit të shkollave.

Donator me vlerë për komunën e Gjakovës ka qenë edhe Organizata Trashëgimia Kulturore pa Kufi, e cila për këtë periudhë ka dhënë 80 mijë euro për 3 projekte, përfshirë këtu edhe vazhdimin e punimeve për rregullimin e rrugës në Çarshinë e vjetër./radiogjakova/