Kusari-Lila vizitë ndërmarrjeve komunale
Gjakovë- Një ditë pasi ka marrë zyrtarisht postin e kryetares së komunës Mimoza Kusari-Lila ka vizituar ndërmarrjet publike të Gjakovës, “Çabratin”, Stacionin e Autobusëve dhe Ngrohtoren e Qytetit për t’u njohur nga afër me punën e tyre si dhe për të shpalosur vizionin e sajë për fushat që mbulojnë këto ndërmarrje duke përmirësuar shërbimet ndaj qytetarëve.
“Si femër që jam, e kjo është traditë jona, kam kërkesa më të mëdha për ambientin dhe pastërtinë e qytetit. Jam e interesuar që të kemi një qytet të pastër dhe pa mbeturina. Ndërmarrja “Çabrati “ është me ndikim të madh në ngritjen e nivelit të pastërtisë bashkë me ngritjen e vetëdijes së qytetarëve që t’i mbajnë ambientet e pastra, prandaj do të ketë mbështetjen e komunës”, tha Kusari Lila duke kërkuar që në menaxhimin e mbeturinave të përfshihet i gjithë territori i komunës së Gjakovës.
Ajo ka kërkuar që pos shtrirjes së veprimtarisë menaxhuese të mbeturinave edhe nëpër fshatra, të filloj aplikimi i riciklimit të mbeturinave, të mos hidhen mbeturinat e ngurta në lumenj dhe të sigurohen edhe automjete moderne duke lënë formën e vjetër të transportit me traktorët. Por në anën tjetër, duke folur për nevojën e ngritjes së vetëdijes së qytetarëve për të mbajtur ambientet e pastra, të aplikohen edhe gjobat për shkelësit, ata që hedhin mbeturina vend e pa vend.
Në kuadër të vizitave në ndërmarjet komunale, kryetarja e Komunës së Gjakovës vizitoi edhe stacionin e autobusëve ku u prit nga drejtori Nevruz Dervishi. Kusari-Lila shprehu interesimin që së pari të hartohen plane konkrete që do mundësojnë partneritetin publiko-privat si mundësi e zhvillimit të sherbimeve.
“Sinqerisht jam e interesuar që të kemi një trafik të rregullt urban, me autobusë të ri, të cilët do mundësojnë edhe zvogëlimin e qarkullimit të madh të automjeteve, por që ndikojnë në anën tjetër edhe në mbrojtjen e ambientit. Ajo cka është me shumë rëndësi është që së shpejti ne duhet të kemi edhe linja të rregullta të trafikut edhe në fshatra”, u shpreh ajo.
Ndërsa në vizitën që bëri tek Ngrohtorja e Qytetit, Kusari Lila u njoh nga afër me gjendjen e rëndë, si për mungesën e mazutit, po ashtu edhe për puntorët të cilët tash e 4 muaj nuk janë paguar.
“Do bëjë një kërkesë urgjente që këtë gjendje ta tejkalojmë dhe sa më shpejtë të ofrojmë ngrohje për banorët e Komunës së Gjakovës, si dhe të sigurojmë mjete për pagat e 46 puntorëve. Ngrohtorja është ndërmarrje komunale, andaj nuk duhet në asnjë mënyrë që përgjegjësin ta hudhim në institucionet qëndrore, pasi që me një menaxhim të mirëfilltë jam e bindur se Ngrohtorja e qytetit do të qendrojë në këmbët e veta”, tha Kusari Lila/radiogjakova/