.
Published On: Fri, Mar 28th, 2014

Aeroporti, pritet themelimi i bordit

Share This
Tags

aeroporti i gjakovesGjakovë- Brenda javësh Aeroporti i Gjakovës do të ketë bordin e parë udhëheqës të tij i cili për detyrë kryesore do e ketë dhënien e aeroportit me koncension.

Ky lajm i është konfirmuar nga kryetarja e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila, pas vendimit të qeverisë për themelimin e Ndërmarrjes Publike Qëndrore, “Aeroporti i Gjakovës”.

Me një vendim të marrë në mbledhjen e së premtes, qeveria e Kosovës e ka themeluar këtë Ndërmarrje e cila do ta ketë në pronësi, do të menaxhojë, operojë dhe do ta mirëmbajë Aeroportin e Gjakovës. Ky lajm e ka gëzuar tej mase kryetaren e Gjakovës Mimoza Kusari – Lila, e cila tashmë nga posti i aktual duket se po i vjel frytet e angazhimit rreth aeroportit, që e ka pasur në kohën sa ishte zëvendëskryeministre dhe ministër e MTI-së.

“Është një lajm shumë i mirë për mua dhe për të gjithë qytetarët e Gjakovës. Ky vendim i qeverisë është hapi konkret drejtë funksionalizimit të plotë të aeroportit të Gjakovës. Ky hap ndihmon dhe afron kohën e ngritjes së një aeroporti të mirëfilltë, i cili do të jetë në shërbim të ekonomisë së Gjakovës dhe tërë Kosovës”, ka thënë Kusari – Lila të premten, vetëm pak minuta pasi qeveria e Kosovës e kishte marrë vendimin për themelimin e ndërmarrjes Publike Qëndrore “Aeroporti i Gjakovës”.

Në fakt, ndërmarrja e themeluar dhe e cila pritet që shumë shpejtë t’i formohen edhe organet menaxhuese, do të jetë ajo që do ta bëjë përgatitjen që aeroporti i Gjakovës të jepet me koncesion, sipas zyrtarëve qeveritarë, si mënyra e vetme aktualisht që ky asset strategjik të vihet në funksion të plotë.

Këtë strategji e konfirmon edhe Kusari – Lila, e cila pas vendimit të së premtes të qeverisë pret dhe beson që edhe hapat e ardhshëm të jenë të shpejtë.

“Hapi i radhës është që qeveria e Kosovës ta themelojë bordin dhe menagjmentin e përkohshëm të aeroportit, organe këto që do ta përgatisin koncesionimin e tij. Besoj që kjo do të ndodhë brenda javës dhe bashkë edhe me kompani konsulente të fillojë angazhimi për dhënien e aeroportit me koncesion, gjegjësisht të fillojë përgatitja e ofertës së qeverisë së Kosovës për koncesionerin e ardhshëm të aroportit të Gjakovës”, ka thënë Kusari – Lila.

Ajo ka shtuar se bordi i aeroportit që pritet të themelohet këto ditë do të përbëhet nga pesë anëtarë, dy prej të cilëve do të propozohen nga komuna e Gjakovës dhe tre të tjerë nga qeveria e Kosovës.

Ndryshe, pas funksionalizimit të tij, aeroporti i Gjakovës pritet të përdoret për fluturime “cargo” apo bartje mallrash dhe për shfrytëzim nga agjencitë që ofrojnë bileta të lira. Pas shpalljes së Gjakovës zonë e lirë ekonomike, aeroporti do të jetë aseti më i rëndësishëm strategjik për transportin e mallrave dhe udhëtarëve./zeri/