LHK kërkon nga kryeministri Mustafa shkarkimin e Jabllanoviqit
Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, me indinjatë të thellë e ka përcjellë deklaratën fyese e anti-shqiptarë të Aleksandër Jabllanoviqit, Ministër për Komunitete dhe Kthime në Qeverinë e Kosovës.
LHK “Ali Hadri” dega në Deçan, i kërkon Kryeministrit Isa Mustafa që ta shkarkojë menjëherë nga detyra ministrin Jabllanoviq dhe, siç thonë ata, “kjo të jetë një herë e përgjithmonë shembull për ministrat e etnisë serbe në Qeverinë e Republikës së Kosovës, që nuk duhet të fyhet e aq më pak të fyhen nënat të cilat i kanë dhënë kësaj toke, Kosovës tonë, bijtë dhe bijat me të mirë të cilët u flijuan për lirinë, çlirimin dhe Pavarësinë e Republikës së Kosovës”.
Kryetari i LHK “Ali Hadri”, dega në Deçan, Selim Lokaj, ia ka rikujtuar Mustafës se ishte edhe Dalibor Jevtiq, ish-Ministër i Ministrisë për Komunitete dhe Kthime në Qeverinë e Republikës së Kosovës të ish-Kryeministrit Hashim Thaçi, ai i cili i kishte fyer edhe shqiptarët ne Mushtishtë të Suharekë me 29 gusht 2014, raporton Koha.net.
Lokaj kërkon që institucionet e Republikës së Kosovës, nuk duhet të vazhdojnë që të privilegjojnë individë si Aleksandër Jabllanoviq, i cili është Ministër në Kosovë, e as që e njeh Republikën e Kosovës dhe ligjet e saja.
“Jabllanoviqi është një individ që në dukje të jep të kuptosh së ai është njëri me komplekse dhe se vuan nga sindroma shqiptar, dhe ai assesi nuk duhet të privilegjohet, pra ai duhet të shkarkohet dhe të mos privilegjohet me poste ministrore”, ka thënë Lokaj.
Më tej, kryetari i LHK “Ali Hadri” në Deçan, ia ka kujtuar Ministrit Jabllanoviq, se ishin bashkëkombësit e tij ata të cilët kanë kryer krime dhe kanë bërë gjenocid kundër shqiptarëve. “E egërsirat e kësaj pjesë të Ballkanit, e që janë të njohur për lufta e vrasje në Kosovë, Bosnje e Kroaci, janë serbet dhe është Serbia”, thuhet më tej në reagimin e tij.
“Jabllanoviqit duhet t’i vijë keq nga ata shpirtra të pafajshëm që janë vrarë dhe që sot 16 vjet pas përfundimit të luftës çlirimtare nuk dihet për fatin e tyre”, ka thënë Lokaj.
LHK “Ali Hadri” dega në Deçan në fund ka thënë se e përkrahë protestën e sotme në Gjakovë dhe i bën thirrje të gjithë shqiptarëve anë e kënd Kosovës që të solidarizohen me nënat dhe familjet gjakovare por dhe të të gjithë Kosovës, familje që kanë dhënë me të dashurit e tyre për lirinë, çlirimin dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës./koha/










