Mamografia po shpëton jetë, mirënjohje për ata që e mundësuan
Komuna e Gjakovës ka ndarë mirënjohje për radiologët dhe klubin e rotarian “Gjakova” me rastin e njëvjetorit të dhurimit të pajisjes së mamografisë nga ana e “Rotary International”.
Në Qendrën e Mjekësisë Familjare “Ereniku” ku është e vendosur edhe kjo pajisje nënkryetari i Komunës, Armend Vokshi për angazhimin dhe funksionalizimin e ofrimit të shërbimeve të mamografisë në komunën e Gjakovës nderoi me mirënjohje doktorët Ismet Leci, Serbeze Kabashi-Muçaj, Shkëndije Nuza, Afërdita Gjini-Koshi, Ardian Biçaku dhe si klubin rotarian “Gjakova”.
E pranishme në këtë ceremoni ishte edhe deputetja e Kuvendit të Kosovës dhe ish-kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila që theksoi rëndësinë e të pasurit një pajisje të tillë në qytetin tonë.
Në emër të rotarianëve gjakovarë foli Ruzhdi Bakalli, që u shpreh se falënderimi më i mirë është fakti se kjo pajisje është në funksion dhe po i shërben qytetarëve të komunës së Gjakovës.
Ndërkohë, radiologu Ardian Biçaku, tha se ndjehen të priviligjuar që kanë mundësi të punojnë me këtë pajisje dhe tha se për një vit kanë shpëtuar shumë jetë falë diagnostikimit të sëmundjes së kancerit të gjirit në kohën e duhur.
Për 1 vit sa ka qenë në shërbim kjo pajisje, janë trajtuar rreth 700 raste. Mjekët kanë ftuar të gjitha femrat dhe gratë nga mosha 40 deri në 60-vjeç që të bëjnë kontrolle të përvitshme pasi kjo këshillohet edhe nga organizatat ndërkombëtare të shëndetësisë./radiogjakova/