.
Published On: Thu, Jul 28th, 2016

Mbahet nata e parë e festivalit “Sofra”

Share This
Tags

Mbrëmë në ambientin e këndshëm të Çarshisë së Vjetër, në “Lomen e Drithit”, nën tingujt e muzikës së bukur popullore është hapur edicioni i tretë i festivalit tradicional “Sofra”. Qindra qytetar për disa orë kanë përcjellë këngëtar popullor dhe të muzikës argëtuese në natën e parë të këtij festivali që për qëllim promovimin e kulturës dhe traditën e muzikës gjakovare. Në natën e parë për dashamirët e muzikës popullore është përkujdesur këngëtarja Nizafete Shala dhe bendi i saj, ndërsa në pjesën argëtuese për qytetarët kanë përformaur Lationo Band, me solistet Albulena jashari dhe Albi Xhepa.

Në ceremoninë hapëse kanë marrë pjesë edhe ministri i Diasporës Valon Murati, zëvëndësministri Janez Frrokaj, si dhe kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari Lila.

Ministri Murati, në ceremoninë hapëse ka ftuar bashkatdhetarët që të marrin pjesë në aktivitet të tilla dhe ka premtuar se do të përkrahe ato në vazhdimësi.

Ndërkohë, kryetarja Mimoza Kusari Lila, para të pranishmëve ka thënë ndër të tjera se është e lumtur që vit pas viti ky organizim po pasurohet e po tërheqë vëmendjen.

Ky është edicioni i tretë i këtij festivali i cili ka për qëllim ringjalljen e disa prej traditave të vjetra, siç janë pjekja e rakisë dhe muzika tradicionale qytetare e Gjakovës. Në dy ediconet e kaluara, kjo ngjarje kulturore ishte organizuar në fund të muajit gusht, mirëpo organizatorët kishin vendosur që sivjet atë ta mbajnë gjatë muajit korrik, kur edhe është një përqendrim më i madh i bashkëatdhetarëve, për t’iu dhënë mundësi edhe atyre gjatë ditëve të pushimit në vendlindje, të argëtohen në netët e këtij festivali.

Kryetarja e komunës Mimoza Kusari Lila duke ju drejtuar bashkatdhetarëve me këtë rast , tha gjatë ceremonisë se qëllimi është që bashkëatdhetarët ti presim gjithmonë me zemër dhe rrugë të hapura, me buzëqeshje në fytyrë, por edhe t’iu japim arsye që të qëndrojnë më gjatë, jo vetëm për pushime, po ta shohin Gjakovën e Kosovën si vendlindjen që ju ofron shumë mundësi tjera.

Sonte, te premten, në natën e dytë të këtij festivali për dashamirët e muzikës popullore do të përformoj grupi “Ashikët, ndërsa për muzikën argëtuese do të kujdeset këngëtari gjakovar Valon Shehu.