.
Published On: Thu, Oct 23rd, 2014

Mbledhje e jashtëzakonshme e Asamblesë komunale

Share This
Tags

asambleja-efektNë Kuvendin Komunal të Gjakovës, është mbajtur mbledhja e jashtëzakonshme e Asamblesë Komunale, në të cilin janë trajtuar Rregullimet e brendshme dhe transferet e ndarjeve buxhetore të komunës së Gjakovës për vitin 2014. Si ka theksuar me këtë rast, Teki Shala, drejtorë i Drejtorisë komunale për Buxhet e Financa në Gjakovë, kjo mbledhje është imponuar nga fakti se procesi i rregullt i rishikimit të buxhetit për vitin 2014, nuk është duke ndodhur ashtu siç parashihet në nenin 25 të Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësit, si pasojë  e mos konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Sipas Shalës duke parë se ky proces nuk do të ndodhë, atëherë qeveria lokale i ka propozuar Kuvendit të Komunës disa rregullime dhe transfere të brendshme të domosdoshme, të cilat janë trajtuar  në këtë mbledhje. Pos kësaj mbledhja e jashtëzakonshme është thirrur edhe nga fakti se sipas Ligjit të Buxhetit për vitin 2014, data 31 tetor, është afati i fundit për përcaktimin e tenderëve për projekte kapitale.

Ndërlidhur me këtë, drejtori Shala, ka prezantuar para kuvendarëve ndryshimet e propozuara, ndryshime këto të cilat kishin të bëjnë me transferet nga të hyrat vetanake, përkatësisht shpenzimet operative nga Arsimi, pastaj nga fondi për Mallra dhe Shërbime, e të tjera. Në anën tjetër, Drejtoria komunale e Zhvillimit Ekonomik mjetet e destinuara në shumë prej 49 mijë euro, do ti ri-destinoi për pagesën për projektin e ndërtimit të rrugëve “Lidhja e Prizrenit’ – “Tomë Gjoka”.   

Sipas drejtorit Shala, mjete të domosdoshme materiale  do të ri-destinohen edhe për projektin “Ndërtimi i rrugëve me asfalt”,  “Mirëmbajtja dimërore dhe verore e rrugëve”, pastaj për projektet “Sanimi i rrugëve me zhavor”, e të tjera. Ndryshe, si është potencuar në mbledhjen e sotme të Kuvendit të komunës, mjete të caktuara materiale do të ri-destinohen edhe për projektin “Klimatizimi-Ventilimi Qendror në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjakovë.  Pas diskutimeve të bëra,  kuvendarët njëzëri kanë aprovuar kërkesat për përcaktimin e projekteve për të cilat do të bëhet ri-destinimi i mjeteve dhe janë aprovuar tranferet e brendshme të propozuara me ri-destinimet buxhetore për vitin 2014 në komunën e Gjakovës./radiogjakova/