Mbyllet seminari për gjuhën në Gjakovë, vlerësohen të arriturat
Dita e fundit e seminarit të 13-të mbarëkombëtar me titull “Për mësimin plotësues në gjuhën shqipe në diasporë“ i cili është mbajtur në Gjakovë, me organizim të dy ministrive të arsimit, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë, ka nisur me prezantimin e Driton Kajtazit.
Kajtazi, mësues në Lozanë dhe drejtor i Instbyitutit Zviceran të Studimeve Shqiptare, foli mbi temën “Roli i imazhit në ruajtjen e trashëgimisë kulturore – gjuhësore”.
Seminari ka vazhduar me punën në grupe sipas interesimeve, ku është bërë fjalë për mbështetjen profesionale e mësimit, ligjëratat, përvojën, orët e mësimit pastaj për përdorimin e burimeve të ndryshme në mësimdhënien e historisë – qasja multi-perspektive, do të mbahet Punëtori me shembull ore mësimi nga trashëgimia kulturore përkatësisht loja e enigmës e të tjera.
Prezantimi i fundit ka qenë nga Ergisa Bebja, nga Ministria e Arsimit të Shqipërisë në temën “Dy gjuhësia si vlerë e shtuar për nxënësit”.
Specialistja shqiptare e mësimit në Diasporë, Bebja, ka vlerësuar të arriturat e këtij seminari, ndërkohë që Nuhi Gashi, nga Ministria Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës, ka veçuar numrin e madh të mësuesve nga diaspora pjesëmarrës në këtë seminar, gjë e cila fletë për rëndësinë që ka ai për ngritjen e cilësisë së mësimdhënies në mërgatë.
Seminari i 13-të mbarëkombëtar me titull “Për mësimin plotësues në gjuhën shqipe në diasporë“ në Gjakovë është mbyllur me prezantimin e rezultateve të arritura si dhe me ndarjen e certifikatave përkatëse./radiogjakova/