.
Published On: Mon, Nov 10th, 2014

Me krenari e emocione, shënohet 70 vjetori i çlirimit të Gjakovës

Share This
Tags

lule-fadil-hoxhaAnipse kanë kaluar 70 vjet nga atëherë, shumë lot e emocione ka pasur të dielen në Gjakovë, teksa veteran të Luftës Nacional Çlirimtare dhe familjarë të heronjëve e dëshmorëve të kësaj lufte e kanë shënuar 9 nëntorin, ditën e çlirimit të qytetit të Gjakovës nga pushtuesit nazi – fashishtë. Gjatë një akademie të mbajtur me këtë rast, shumë i emocionuar është parë Lekë Hoxha, i biri i ish – komandatit të UNÇ-së Fadil Hoxha, të cilin disa herë e kanë tradhëtuar lotët.

Sikurse Hoxha, lotë janë parë edhe në sytë e ambasadorit të Shqipërisë në Kosovë, Qemajl Minxhozi. Ky i fundit në fjalen e tij ka thënë se ka arsye të veçanta të emocionohet në një ditë si kjo. “Edhe babai im ka qenë pjesë e luftës së dytë botërore. Madje ai ka pasur miqësi të ngushtë me shumë udhëheqëxs të luftës nga Gjakova e asaj kohe. Më kujtohet se babai ka qenë mik i ngushtë me Hajdar Dushin. Më kujtohet se bashkë me të e mësonim këngën për heroin Emin Duraku, i cili ishte vrarë vetëm pak kohë më parë”, ka thënë mes tjerash ambasadori Minxhozi.

Ndërkohë, emocione nga ato ditë ka transmetuar edhe njëri prej pjesmarrësve direkt në çlirimin e Gjakovës,  Gjeneral Lejtnant Rrahman Parllaku, kryetar i vetarënëve të Luftës Nacional Çlirimtare të Shqipërisë. “70 vjet më parë pata fatin që nga Shqipëria të vi e të kontribuoj në çlirimin e shumë qyteteve të Kosovës e në mesin e tyre edhe të Gjakovës. Gjatë asaj kohe kam lënë dy pika gjak në tokën e Gjakovës, prandaj marr të drejten që ta llogaris vetën edhe si veteran të qytetit të Gjakovës, qytet që e ka bërë hisotrinë në të gjitha luftrat e kombit shqiptar”, ka thënë 94 vjecari Parllaku.

E ndonëse e ka llogaritur sit ë sukseshme luftën e tij dhe të bashkëluftëtarëve të tij, e gjithashtu edhe luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Parllaku ka thënë se Kosovës dhe Shqipërisë u mbetet ende punë për ta fituar edhebetejen e fundit. “Ne sot jemi të nderuar që e kemi këtu ambasadorin e Shqipërisë. Por do të ishte mirë që në një të ardhme të mos kemi fare ambasador të dy vendeve tona. Përkundër shumë problemeve që i kemi këndej e andej, jam i bindur që kjo ditë do të vij shpejtë dhe lutem që edhe unë të jem gjallë e ta përjetoj”, ka shtuar ai.

Nga ana tjetër, kryetarja e komunës së Gjakovës Mimoza Kusari – Lila, ka thënë gjatë kësaj akademie se ndjehet krenare me të kalurën e Gjakovës dhe faktin se Gjakova vazhdon ta respektoj këtë të kaluar. “Nuk ndihme e turpëruar që është Gjakova e vetmja që e feston në nivel të Kosovës 70 vjetorin e çlirimit nga okuparoti nazi – fashist. Përkundrazi unë jam krenare sepse kjo e tregon pjekurinë, maturinë dhe intelektin e qytetarëve të komunës së Gjakovës, të pjesmarrëve që janë sot gjallë ended he të pasardhësve të tyre, për idealin dhe formësimin e plotë që e ka komuna jonë. Ne e dimë se ata që nuk e nderojnë historinë, nuk kanë të ardhme të ndritur. Ne do të vazhdojmë ta nderojmë historinë, sepse e dimë që çdo copë e historisë është një copë në formësimin e shtetit të pavarur të Kosovës”, ka thënë ajo.

Në këtë akademi, me kumtesa janë paraqitur akademikët Pajazit Nushi e Jusuf  Bajraktari, të cilët kanë folur për kontributin e Gjakovës në LNÇ.

Ky aktivitet ka përfunduar me kërkesen e përbashkët drejtuar komunës së Gjakovës, që në një të ardhme të afërt të bëhet inaugurimi i shtatores së heroit Fadil Hoxha.