Menagjimi i mbeturinave sfidë kryesore për komunën e Gjakovës
Menagjimi i mbeturinave mbetet njëra ndër sfidat kryesore të përditshmërisë për komunën e Gjakovës. Ndonëse angazhimi në këtë drejtim nuk ka munguar asnjë herë, gjendja vazhdon të mbetet brengosëse dhe mbeturinat vazhdojnë të shihen në çdo cep të qytetit dhe fshatrave të Gjakovës.
E ndonëse të gjithë akterët e pranojnë se gjendja është e rëndë, askush nuk e merr mbi vete përgjegjësinë e kësaj gjendje, por fajin vazhdojnë ta hudhin tek njëri tjetri.
Përderisa qytetarët ankohen në mos efikasitetin e institucioneve dhe kompanive përkatëse për menagjimin e mbeturinave, këto të fundit gishtin e fajësisë e drejtojnë pikërisht tek qytetarët.
Sipas përfaqësuesve të kompanisë “Çabrati” shumë qytetarë tregohen të pa ndërgjegjshëm dhe nuk i paguajnë obligimet e tyre ndaj kompanisë.
Si pasojë e kësaj, këta qytetarë mbeturinat i hudhin në vende publike në sasi të mëdha dhe kjo krijon pamje të shëmtuara me grumbuj të mëdhenjë të mbeturinave.
Sfidë e madhe në këtë drejtim mbetet edhe pastërtia e lumenjëve, të cilët po vazhdojnë të jenë cak i hudhjes së shumë mbeturinave, si atyre organike ashtu edhe atyre inerte.
E në tërë këtë mes, pjesë e përgjegjësisë bije edhe mbi komunën e Gjakovës, institucion i cili përkundër kërcënimeve të vazhdueshme, ende nuk ka filluar me aplikimin e gjobave dhe ndëshkimeve për hudhësit e mbeturinave dhe dëmtuesit e ambientit.










