.
Published On: Tue, Feb 20th, 2018

Mësimdhënësit sërish në grevë, Këshilli i Prindërve të Gjakovës e kundërshton

Share This
Tags

Dita e martë i gjeti sërish mësimdhënësit në grevë. Ndryshe nga java e kaluar, punonjësit e arsimit kësaj radhe mbajtën grevë dyorëshe, duke bërë që mësimi të nis prej orës së tretë.

Mësimdhënësit po kërkojnë që të zbatohet marrëveshja e nënshkruar në mes të SBASHK-ut dhe koalicionit qeverisës me 5 qershor 2017, veçanërisht po kërkojnë që në Kuvend të procedohet projektligji për statusin e punëtorëve të arsimit për vitet 1990-1999.

Kreu i SBASHK-ut të Gjakovës, Sali Maliqi, u shpreh se gjithçka ka shkuar mirë gjatë dy orëve sa ka zgjatur greva, ndërsa përsëriti se ajo është e imponuar, jo se duan ata që të humbasin orët e mësimit.

Sipas tij, qëndrimet e SBASHK tashmë dihen dhe nuk do të pranojnë asgjë më pak se realizimi i kërkesave, që ai i quan, bazike për mësimdhënësit.

Më të hutuarit nga e gjithë kjo situatë ishin prindërit. Në të njëjtën kohë ata kishin marrë dy apele të ndryshme, një nga SBASHK për të mos dërguar fëmijët në shkollë, dhe një tjetër nga Këshilli i Prindërve për t’i dërguar sipas orarit të planifikuar.

Ky organ e ka kundërshtuar sërish grevën e mësimdhënësve. Kryetari i Këshillit Prindëror komunal të Gjakovës, Mark Frrokaj, tha se nga greva ka vetëm një humbës dhe janë pikërisht fëmijët.

“Ne konsiderojmë se greva po dëmton procesin mësimor. Këto orë që po humben ndoshta nuk do të zëvendësohen asnjëherë. Ne duam që kjo të marrë fund dhe të gjendet një zgjidhje e mirë për të gjitha palët. Duke i lënë jashtë shkollës fëmijët cenohet edhe siguria e tyre se nuk dihet ku shkojnë e çfarë bëjnë”, tha Frrokaj.

Përkundër kundërshtimit të Këshillit të Prindërve, SBASHK ka paralajmëruar se nëse Qeveria nuk reflekton ka mundësi që kongresi i kësaj sindikate që do të mbahet të enjten të marrë vendim për grevë të pacaktuar dhe protesta në rrugë./radiogjakova/