.
Published On: Tue, Jan 14th, 2014

Mimoza befasohet për të keq në Muzeun Etnografik

Share This
Tags

mimoza-muzeGjakovë- Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila ka vizituar Muzeun Etnografik ku është njoftuar nga afër me problemet dhe sfidat që përballet ky institucion kulturo-historik i komunës së Gjakovës.

Remzi Dobruna, ushtrues i detyrës së drejtorit të muzeut e ka njoftuar kryetaren e Gjakovës në lidhje me problemet që i ka shkaktuar qeverisja e kaluar lokale, të cilat ndërlidhen me mungesën e mjeteve financiare, moslejimin për instalimin e ngrohjes qendrore, mosrregullimin e rrjetit të energjisë elektrike, mungesën e mbishkrimit të muzeut, mungesën e  mjeteve elementare për punë, si dhe mungesën e mirëmbajtësit të objektit.

Në këtë takim u ngrit edhe shqetësimi i shfrytëzimit të objektit të muzeut, i njohur si kulla e Abdullah Pashë Drenit nga Arkivi Ndërkomunal i Gjakovës.

Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila, tha se do të angazhohet menjëherë që të sigurojë lidhjen në rrjetin e ngrohtores së qytetit në mënyrë që temparaturat konstante të ndikojnë edhe në mbrojtjen e shtyllave  të drurit. Po ashtu, kryetarja e Komunës së shpejti do të shqyrtojë mundësinë e lirimit të objektit të muzeut i cili shfrytëzohet nga Arkivi Ndërkomunal i Gjakovës, duke kontribuar me këtë rast që objektet e trashëgimisë kulturore në Gjakovë të ruhen dhe të mbrohen ashtu siç e meritojnë.

“Ndjehem e shokuar nga ato çfarë mësova për objektin e muzeut, andaj ju siguroj se së shpejti muzeu do të ketë edhe mirëmbajtësin, ngrohjen qendrore, paisjet për punë, ndriçimin dhe çdo gjë tjetër që i duhet. Objekti i muzeut është një vlerë kulturo-historike e Gjakovës që meriton një trajtim tjetër, andaj në kuadër të trashëgimisë kulturore unë do të angazhoj edhe një këshilltar në kuadër të kabinetit tim i cili do të përkujdeset që ti mbrojë dhe ti promovojë vlerat kulturo-historike të Komunës së Gjakovës”, tha ndër të tjera kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila.