Mimoza: Femrat duhet të ndihmojnë njëra-tjetrën
Gjakovë- Me rastin e 8 Marsit – Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Komuna e Gjakovës ka mbajtur takim urues me gratë e profileve të ndryshme e cila është mbajtur në sallën e Kuvendit të Komunës. Në këtë takim, kryetarja Kusari Lila ka folur mbi mundësitë, potencialet dhe kurajon që duhet ta kenë femrat për një shoqëri të avancuar,pavarësisht pengesave dhe paragjykimeve.
Ajo ka kujtuar nismat për drejtësi të grave në Çikago të SHBA-ve, dhe si kryetare e parë femër e një komune në Kosovë ka sjellë shembuj se si duhen sfiduar kohërat, paragjykimet dhe rrethanat dhe në këtë kontest ka sjellë një shembull nga parlamenti i Kosovës që ka të bëjë me përfshirjen numerike të grave, duke bërë pyetje retorike se nuk duhet pyetur se çfarë bëjnë ai tridhjetë përqindësh i grave në parlament, por çfarë bënë shtatëdhjetë përqindëshi, që ndokush prej tyre merr një, dy dhe tre mandate dhe pos që nuk u dëgjohet zëri, nuk u mësohet as emri.
Kryetarja Kusari Lila ka cituar Sekretaren amerikane të Shtetit, Medlin Olbright, e cila ka pohuar se ka një ferr të posaçëm për gratë që nuk mbështesin gratë, e ne, shtoi ajo, nuk dëshirojmë të shkojmë në ferr por të mbështesim njëra-tjetrën.
Ku takim urues për 8 Marsin ka nisur me një minutë heshtje për asambleisten e ndjerë Gjylgjyzare Xharavina, e cila ka qenë edhe kryetare e Grupit të Grave të Asambleiste. Ndërkaq, urime dhe mesazhe për fuqizimin e gruas kanë sjellë edhe Lumnije Shllaku, udhëheqëse e Zyrës për Barazi Gjinore, kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Luan Gola, kryetarja e Grupit të Grave Asambleiste, Sevdije Haxhibeqiri, kryeprokurorja Shpresa Bakija, deputetja e parë, Mevlyde Saraçi, veteranja e arsimit Nanije Deva, etj./radiogjakova/