.
Published On: Mon, Jan 20th, 2014

Mimoza ia kthen shpinën PDK-së

Share This
Tags

mimoza-kGjakovë- (E plotësuar) Zhvillime tjera janë duke ndodhur rreth koalicionit qeverisës në komunën e Gjakovës. Kryetarja Mimoza Kusari – Lila duket se është lodhur nga zvarritjet e deritashme të degës së PDK-së në Gjakovë dhe ka vendosur që të kërkojë partner tjetër për koalicion.

Kusari – Lila është takuar me përfaqësues të PSHDK-së, nga tek të cilët në parim ka gjetur mbështetje. Këtë takim e kanë konfirmuar vet përfaqësuesit e PSHDK-së, të cilët kanë thënë se nëse u kërkohet nga kryetarja Kusari – Lila, ata janë të gatshëm që ta diskutojnë edhe çështjen e koalicionit.

Nga ana tjetër, këto zhvillime duket se e kanë përçarë degën e PDK-së në Gjakovë, pasi një pjesë e saj po vazhdon të insistoj pro koalicionit me Mimoza Kusari – Lilën. Asamblisti më i votuar në Gjakovë Ramadan Hoti, njëkohësisht edhe kryetar i degës së PDK-së në Has ka thënë se nëse dega e PDK-së në Gjakovë largohet nga bisedimet me kryetaren Kusari – Lila, dega e PDK-së në Has do t’i vazhdojë ato bisedime dhe do të jetë pjesë e qeverisë së re.

Megjithatë, gjithçka rreth këtyre zhvillimeve do të mësohet të martën në mbledhjen e Asamblesë komunale, ku është paraparë të zgjidhet kryesuesi i Asamblesë, post i cili sipas të gjitha gjasave do t’i takojë kryetarit të degës së LDK-së në Gjakovë Luan Gola./radiogjakova/