.
Published On: Sat, Nov 11th, 2017

Ministri Lluka bashkëbisedon me maturantët gjakovarë

Share This
Tags

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, pasditen e së shtunës bashkëbisedoi me maturantët gjakovarë ku para tyre shpalosi eksperiencën e tij12-vjeçare në zhvillimin e sektorit privat, lidership dhe konsulencë menaxheriale.

Ky takim u organizua në kuadër të projektit “Orientimi në karrierë” që po implementohet në Gjakovë nga organizata “INNO” e që si qëllim ka këshillimin e të rinjve për karrierë dhe përgatitjen për tregun e punës.

Ministri Lluka iu kërkoi maturantëve që të jeni poliglotë, të shfrytëzojnë bursat dhe mundësitë e tjera për të marrë eksperienca në vende të tjera.

“Këshilla ime kryesore ishte që maturantët nuk duhet të kufzohen vetëm me njohjen e gjuhës shqipe, por duhet t’i japin rëndësi edhe gjuhëve të tjera, sidomos asaj angleze dhe gjermane. Këshilla e dytë ishte që të shohin mundësitë për studim jashtë vendit. Kur studion në një vend tjetër të zgjeron horizontet e të menduarit dhe takon njerëz të rinj. Po ashtu, drejtimet për studime t’i përcaktojnë vetë dhe jo të plotësojnë dëshirat e familjarëve. Të studiojnë atë që duan vetë, por edhe që përputhen me nevojat e tregut të punës”, tha Lluka.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, duke iu përgjigjur pyetjeve të të rinjve, pranoi se në Gjakovë mundësitë për karrierë janë të limituara, por shtoi se nëse ke një ide të mirë, biznesi mund të jetë i vendosur në Gjakovë dhe të operojë ngado.

“Gjakova është e përshtatshme për ndonjë iniciativë për biznes fillestar që do të thotë për ta nisur e zhvilluar dhe udhëhequr nga këtu. Ka shumë mundësi të mira për ‘start-up-e” dhe do të ketë akoma më shumë përpos Qendrës Inovative Jakova. Idetë e mëdha janë ide ndërkombëtare. Zyret mund t’i kesh në Gjakovë dhe operimi të jetë në të gjithë Kosovën, por edhe me gjerë”, shtoi Lluka.

Menaxheri i këtij projekti, Pylljon Nura, nga organizata “INNO” tha se përpos këtyre takimeve do të ketë edhe punëtori më të specializuara për maturantët gjatë javës së ardhshme.

“Ky projekt është i dedikuar për maturantët gjakovarë ku përfshihen trajnime dhe punëtori të specializuara që t’i drejtojnë ata drejt një karriere të suksesshme. Po ashtu, përfshihet aftësimi i shkathtësive të buta për studime dhe përgatitje për tregun e punës. Këto dy ditë (premte dhe shtunë) kemi pasur prezantime inspiruese nga folës nga sektori publik, politika, biznesi, por edhe shoqëria civile, ndërsa javën e ardhshme do të kemi punëtori për shkathtësi të buta ku përfshihet aftësimi për shkrimin e CV, letra motivuese, fjalimi në publik etj.”, tha Nura./radiogjakova/