.
Published On: Fri, Dec 8th, 2017

Ministri Lluka premton mbështetje për kërkesat e KRU “Gjakova”

Share This
Tags

Ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Valdrin Lluka, me bashkëpunëtorë të premten vizitoi Kompaninë Rajonale të Ujërave “Gjakova”, ku u njoftua për së afërmi me të arriturat, sfidat dhe kërkesat e kësaj kompanie.

Drejtori i KRU “Gjakova”, Ismet Ahmeti, pasi falënderoi Llukën për vizitën, pati dy kërkesa kryesore. E para ishte ne lidhje me ndërrimin e rrjetit të gypave të azbesit, projekt ky madhor që kap vlerën e rreth 12 milionë eurove.

“Ministrit ia parashtrova kërkesën për ndërrimin e rrejtit të gypave të azbestit. Ky projekt kap shumën e rreth 12 milionë eurove, por Gjakova dhe fshatrat do të kishin ujë më cilësorë”, u shpreh Ahmeti.

Duke iu përgjigjur kësaj kërkese, Lluka tha se një projekt i tillë duhet të mbështetet për arsye se është në pyetje shëndeti i qytetarëve të komunës së Gjakovës. Ai foli edhe për mundësitë e financimit të këtij projekti për të cilin shtoi se mund të zgjasë deri në 4 vite.

“Vlera e investimit është e madhe sepse po flasim për 120 mijë kilometra gypë që duhet të ndërrohen. Kam disa ide se si mund të financojmë këtë projekt, por kjo nuk nuk është gjë që ndodh brenda një viti por kërkon 3 apo 4 vite. Për fat të mirë, si shtet kemi qasje shumë më të madhe në kreditë e buta. Momentalisht jemi në negociata me qeverinë hungareze ku ata na kanë ofruar një kredi për rreth 62 milionë euro në infrastrukturë me 0% interes për 30 vite me 3 vite ‘grace period’ që do tëthotë se për 3 vite nuk kthejmë asgjë. Kur po diskutonin këtë projekt, mendova ta përfshijmë në këtë kredi dhe të finalizojmë”, u shpreh Lluka.

Drejtori i KRU “Gjakova”, Ahmeti foli edhe për rëndësinë e përfundimit të fazës së dytë të përfundimit të fabrikës së ujit. Sipas tij, fabrika është planifikuar të finalizohet në shtator të vitit të ardhshëm.

“Jemi shumë të interesuar për përfundimin e fazës së dytë të fabrikës sepse shumë konsumatorë po presin për ujë të pijshëm. Kërkohen edhe 1 milionë e gjysmë për përmbylljen e këtij projekti. Sipas marrëveshjes, fabrika duhet të përfundojë në shtator të vitit të ardhshëm. Kapacitetet prodhuese do të rriten për 1 mijë litra në sekondë, momentalisht i kemi 35 mijë konsumatorë dhe me aktivizimin e fabrikës së re do të shtohen edhe 35 mijë të tjerë”, deklaroi Ahmeti.

Shumë pozitiv ndaj kësaj kërkese u tregua Lluka që tha se do të përkrahë përfundimin e ndërtimit të fabrikës dhe të hyjë në funksion sipas datës së paraparë.

“Ministria e Zhvillimit Ekonomik do të përkahë me çdo kusht zgjerimin e kapaciteteve. Në buxhetin e vitit 2018 do t’i ndajmë mjetet që ta finalizojmë atë fabrikë dhe të dyfishojmë kapacitetet”, tha Lluka./radiogjakova/