.
Published On: Mon, May 8th, 2017

Miratohet projekti për hyrje-daljet e Gjakovës

Share This
Tags

U deshën 34 vite që Kuvendi Komunal i Gjakovës të miratojë propozim-vendimin për realizimin e projektit “Unazat dhe hyrje-daljet në qytetin e Gjakovës”.

Përmes këtij projekti do të bëhet lidhja më e mirë në mes të rajoneve për hyrje-daljet si dhe do të lirohet qarkullimi i komunikacionit në vend.

Kryetarja Mimoza Kusari-Lila prezantoi në mbledhjen e jashtëzakonshme që e thirri ajo rëndësinë e implementimit të këtij projekti që sipas saj është një ndër investimet më të mëdha kapitale në historinë e qytetit të Gjakovës.

Ky projekt është i unifikuar dhe dakorduar tërësisht me strategjitë zhvillimore komunale si plani zhvillimor komunal urban, strategjia zhvillimore socio-ekonomike, strategjia rajonale për transport, fizibiliteti mbi rrugët në Gjakovë si dhe plani i mobilitetit në proces.

“Ia vlen të theksohet që asnjë projekt i deritanishëm në nivel të Kosovës, në aspektin gjeografik nuk ka qëndruar më mirë dhe më saktë sipas planit urbanistik dhe ky projekt ka mbajtur konsistencë për 34 vite dhe po kthehet prap në trajtim dhe miratim me të njëjtat vija ashtu siç ishte paraparë në atë periudhë pa asnjë interes dhe motiv politik”, u shpreh Kusari-Lila.

Ajo shtoi se pesha e këtij projekti në aspektin financiar është e përballueshme nga Komuna e Gjakovës në raport me investimin e përgjithshëm dhe ndikimin e madh që do të ketë implementimi i këtij projekti për zhvillimin e komunës së Gjakovës.

Ndryshe, projekti planifikohet të nisë në vitin 2018 dhe investimi i Komunës së Gjakovës në bashkëpunim me BERZH është në vlerë prej 7 milionë e 350 mijë euro, ndërsa në Ministria e Infrastrukturës do të kontribuojë në shumë prej 18 milionë e 790 euro.

Ky projekt pas tre viteve intensive të diskutimit me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim si dhe me ministritë e linjës, ka arritur të merr miratimin e 27 këshilltareve të komunës së Gjakovës, me vetëm gjashtë vota abstenim të këshilltareve të AAK-së.