Mjaftë ankth dhe pritje!

Gjakovë- Në Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, Shoqata “Thirrjet e Nënave” dhe familjarët e të pagjeturve të Kosovës në shenjë të revoltës, sic e kanë quajtur ata, paknaqësisë, padrejtësisë dhe neglizhencës së institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, për mos zbardhjen e fatit edhe pas 14 viteve të perfundimit të luftës edhe të 1721 qytetarëve të Kosovës të rrëmbyer e të zhdukur nga regjimi gjenocidial kriminel i pushtetit serbo-malazez i janë drejtuar me një letër të hapur Presidentes, Kryeparlamentarit, Kryeministrit, Zv/kryeministrave, Shefit të EULEX-it, Ambasadores amerikane dhe disa Komisioneve vendore e ndërkombëtare.
“Familjarët e të pagjeturve të Kosovës vijmë: me këtë letër të hapur jo për të kërkuar lëmosh, por po kërkojmë më të dashurit tanë që ende na mungojnë. Kjo është e drejtë që obligon mekanizmat vendor dhe nderkombtar për të përmbushur obligimet e veta sipas Konventës Nderkombëtare të nënshkruara vite më pare.
“1. Potencojmë, se jo interesimi i duhur nga institucionet tona hapë rrugë drejtë zbehjes së presionit ndërkombëtar ndaj shtetit të Serbisë që të jap informacione për vendndodhjen dhe kthimin e menjëhershëm të më të dashurëve tanë, njëherit kërkojmë nga EULEX-i dhe Departamenti i Mjekësis Ligjore për Persona të Zhdukur të gjejnë mënyrën e zgjidhjes të rasteve të ribashkimeve të varrosura gabimisht.
“2. Kërkojmë angazhim dhe vendosmëri në zgjidhjen e cështjes më të ndjeshme të pas luftës në Kosovë nga të gjitha institucionet vendore dhe nderkombëtare, e jo ledhatime të një pas njëshme që po i bëhet shtetit kriminel serb i cili bëri gjenocid dhe masakër ndaj popullatësë së pafajshme dhe të pa mbrojtur shqiptare, pa e kursyer moshën, gjininë e as gratë shtatëzëna”, thuhet në këtë letër të familjarëve të të pagjeturve.
Tutje, të njejtit, kërkojnë që të rishikohet Ligji për Persona të Pagjetur pasi sipas tyre ka kaluar me shumë mangësi dhe familjet e të zhdukurve janë të privuar nga e drejta për beneficione dhe ndihma tjera financiare. ata shprehen se jeojnë me 135 euro në muaj si ndihmë e vogël, e pamjaftushme, sociale.
“Kërkojmë që mos të shkelet mbi gjakun e të rënve martirëve për lirinë e Kosovës kur dihet se të gjithë patën të njejtin ideal. Kërkojmë që Serbia të kushtëzohet dhe të tregojë vendndodhjen dhe kthimin e menjëherëshëm të trupave të më të dashurve tanë që na i rrembyen dhunshëm nëpër shtëpit tona dhe në rrugë. Kërkojmë arrestimin e kriminelëve që bënë masakrat në Kosovë dhe përballjen e tyre me drejtësinë.
“Familjarët e të Pagjeturve të Kosovës i bëjmë thirrje institucioneve vendore dhe ndërkombtare që të ngrejnë zërin e ndërgjegjës për fatin e personave të pagjetur të Kosovës. Mjaftë ankth dhe pritje!”, mbyllet kjo letër./radiogjakova/










