.
Published On: Tue, Jan 13th, 2015

MTI-ja ndërpren financimin për dy projekte në Gjakovë

Share This
Tags

mti-ndertesaQë në ditët e para të fillimit të punës, ministrja e re e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, e ka ndërprerë financimin e dy projekteve që ky institucion i ka në komunën e Gjakovës.

Bëhet fjalë për projektin e Qendrës Inovative në Gjakovë dhe projektin tjetër që ka lidhshmëri me këtë qendër, projektin me Universitetin e Dartmouth në fushën e nxitjes së ndërmarrësisë për të rinjtë nga rajoni i Gjakovës.

Vendimin për ndërprerjen e këtyre dy projekteve, ministrja Bajrami e ka arsyetuar me faktin se të njëjtit janë nën hetime për parregullsi brenda tyre, ndërsa në momentin kur këto hetime të përmbyllen dhe nëse nuk vërtetohet shkeljet e dyshuara ligjore, atëherë ministria do ta shqyrtojë mundësinë e vazhdimit të përkrahjes së tyre.

Por, ky veprim i ministres i ka indinjuar zyrtarët komunal, të cilët kanë thënë se ministrja Bajrami është ngutur me këtë veprim, i cili mund të konsiderohet edhe si veprim politik. Ali Tafarshiku, këshilltar i kryetares Mimoza Kusari – Lila ka thënë se megjithatë, komuna nuk do të lejojë që këto dy projekte të shuhen përfundimisht, pa marrë parasysh se a do ta kenë përkrahjen e Ministrisë apo jo.

Sipas tij, komuna do të tentojë që t’i mbështesë këto dy projekte përmes ndihmës së donatorëve. Ai ka shtuar se megjithatë, komuna pret që ministrja Bajrami dhe Ministria që ajo drejton të jetë në përkrahje të komunës jo vetëm për këto dy projekte por edhe për projekte të tjera./radiogjakova/