Mustafa: Do të shpejtohen hapat për funksionalizimin e Aeroportit të Gjakovës
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, u zotua të funksionalizojë sa më shpejtë Aeroportin e Gjakovës. Gjatë vizitës së tij, kreu i ekzekutivit shtoi se aeroporti mund të shfrytëzohet dhe është si opsion i shërbimit nga helikopterët.
Mustafa ditë më parë caktoi një ekip ndërministror i cili ka punuar në identifikimin e nevojave shtetërore dhe krijimin e kushteve për blerjen e helikopterëve, për t’ju përgjigjur nevojave të Kosovës.
“Edhe ky ambient këtu, për të cilin po flasim, është një ambient i përshtatshëm edhe për atë njësit të helikopterëve edhe për aeroplanë të vegjël, të cilët ne mund t’i kemi nesër si Kosovë, qoftë si aeroplanë qeveritarë, qoftë ata që shfrytëzohen për nevoja komerciale dhe për nevoja tjera, prandaj është një kompleks i punëve që ne bashkërisht do ta bëjmë”, tha kryeministri Mustafa.
Por, deri në zgjedhjen e alternativës më të mirë për Aeroportin e Gjakovës, kryeministri premtoi se janë siguruar fondet që aty te vazhdohet puna.
“Ne si qeveri e kemi marrë për obligim që të sigurojmë financimet që bordi, menaxhmenti dhe administrata e aeroportit të vazhdojnë dhe të kenë mundësi të punojnë deri sa ne të gjejmë alternativat më të mirat drejt funksionalizimit të aeroportit”, tha Mustafa.
Nga ana tjetër, kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, tha se së shpejti pritet të propozojmë rekomandimet për aktivitetet që duhet të ndërmerren në periudhë afatshkurtër dhe afatmesme për funksionalizimin e Aeroportit të Gjakovës.
“Më konkretisht kemi propozuar që të formohet një komision brenda Qeverisë së Kosovës i cili do të punojë në çështjen e funksionalizimit të aeroportit, po ashtu në bashkëpunim me donatorët do të kërkojmë mbështetje për realizimin e studimit të fizibilitetit që do të përcjellë më tutje procesin e funksionalizimit, si dhe qeveria e Kosovës të fascilitojë procesin e shpronësimit me AKP-në për pronat e aeroportit” u shpreh Kusari-Lila.