.
Published On: Wed, Feb 25th, 2015

Natasha Kandiq do shpallet “Qytetare Nderi e Gjakovës”

Share This
Tags

mbledhja-kpfNë Kuvendin Komunal të Gjakovës, u mbajt mbledhja e Komitetit për Politikë e Financa. Përfaqësuesit e subjekteve politike të cilët janë pjesë përbërëse e Asamblesë Komunale, fillimisht kanë shqyrtuar dhe aprovuar  propozimin për marrjen e vendimit për punimin e planit rregullues të hollësishëm të qendrës sekondare komunale në Rogovë.

Si ka theksuar me këtë rast, Xhelal Hoxha, drejtor i Drejtorisë komunale për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit, bëhet fjalë për një projekt i cili do të krijojë favore për banorët e këtij komuniteti, meqë me këtë plan do të rregullohet infrastruktura e këtij lokaliteti, do të krijohen parakushte për planin zhvillimor, për sistematizimin e shërbimeve për komunitetin si në fushën e arsimit, shëndetësisë e të tjera.

Sipas kryeurbanistit komunal të Gjakovës, Hoxha, plani rregullues i qendrës sekondare komunale në Rogovë përfshinë një sipërfaqe prej 250 hektar dhe do të shtrihet në pjesën perëndimore të lumit Drini si dhe në pjesën e këtij fshati e cila është përfshirë me komasacion. Në diskutimet në vazhdim në këtë pikë të rendit të ditës, janë potencuar vështirësitë kur është fjala tek uzurpimet e pronës komunale në Rogovë, gjë e cila është prezente në masë të madhe.

Planit rregullues i hollësishëm të qendrës sekondare komunale në Rogovë, do të realizohet gjatë këtij viti, ndërkohë që në dy vitet në vazhdim një plan i tillë parashihet të bëhet për fshtrat Ponoshec dhe Cërmjan. Në mbledhjen e Komitetit për Politikë e Financa, është aprovuar edhe propozimi  për marrjen e vendimit  për punimin e planit rregullues në zonën “Çarshia e Madhe”, si dhe kërkesa e KEDS-it për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale, përkatësisht pjesë të ngastrave në Ponoshec dhe Nivokaz, ndërkohë që me propozim të kryesuesit të këtij Komiteti, Luan Gola, nga rendi i ditës është tërhequr diskutimi  për shpalljen e interesit të veçantë dhe shpalljen e procedurave ligjore për dhënien në menaxhim dhe shfrytëzim të pronës komunale “Tregu i gjelbër”, në  një sipërfaqe prej 1 mijë 800 metra katrorë.

Ndryshe, në këtë takimin është aprovuar propozimi që veprimtares së njohur për të drejtat e njeriut dhe humanistes Natasha Kandiq, t’i ndahet çmimi “Qytetar Nderi i Gjakovës”./radiogjakova/