Ndërron jetë Vehap Shita
Është ndarë nga jeta në moshën 90 vjeçare njëri ndër krijuesit e parë që u mor me kritikë letrare dhe me përkthim të veprave letrare, doajeni i gazetarisë kosovare dhe publicisti, Vehap Shita.
Shkrimtari, kritiku i teatrit dhe gazetari Vehap Shita, është ndarë nga jeta më 8 nëntor në Gjakovë, ku edhe është varrosur të hënën në një ceremoni familjare. Ai u lind në Gjakovë në vitin 1924, ndërsa studimet universitare të gjuhës e të letërsisë shqipe i ndoqi me korrespondencë në Fakultetin Filozofik të Beogradit.
Për vdekjen e tij ka familjes i ka dërguar telegrafm ngushëllimi Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve (MKRS) .
““E nderuara familje Shita,
“Me pikëllim mora lajmin për vdekjen kritikut të shquar të artit, Vehap Shita. Ai ka qenë dhe mbetet një nga publicistët dhe kritikët e rrallë të teatrit dhe filmit në Kosovë. Përmes punës së tij, zoti Shita ka bërë që skena jonë teatrore e filmike të zhvillohet edhe më shumë dhe të përqafojë vlerat e mirëfillta.
Natyrshëm, vdekja e tij është një humbje për skenën tonë kulturore, por trashëgimia e tij në libra, revista, shkrime, intervista dhe festivale të ndryshme në Ballkan janë një thesar i rëndësishëm për kulturën tonë, për gjeneratat e reja.
Zoti Vehap Shita padyshim mbetet një model i pasionit për kulturën në përgjithësi pasi deri në momentet e fundit të jetës ligjëroi e dha mësime për teatrin e filmin. Mbi të gjitha ai ishte një vizitor dhe kritik i rregullt i shfaqjeve teatrore në vend.
Andaj, familjes dhe miqve të tij ngushëllime për këtë humbje!”, shkruhet në telegramin e nënshkruar nga ministri i Kulturës, Memli Krasniqi.
Familjes Shita sot telegrami i kanë shkruar edhe nga Shoqata e Artistëve të Teatrit.
“Me rastin e vdekjes së doajenit të kritikës teatrore kosovare, z. Vehap Shita, Bordi Ekzekutiv i Shoqatës së Artistëve të Teatrit të Kosovës i shpreh ngushëllimet më të thella bashkëshortes, familjarëve, miqve dhe kolegëve të tij të shumtë. Në këto çaste të rënda për ju, ne bashkëndjejmë me dhembjen dhe me pikëllimin tuaj për humbjen e njeriut tuaj të dashur, i cili, me jetën, angazhimin, përkushtimin, profesionalizmin dhe idealizmin e tij, përmes shkrimeve me karakter analitik dhe kritik, la gjurmë të pashlyeshme në historinë e teatrit e të kinematografisë sonë kombëtare.
Jeta dhe vepra krijuese e kritikut Vehap Shita, si me shumësinë ashtu edhe me cilësinë dhe me profesionalizmin e saj, është një nga shenjat më identifikuese të kritikës në fushën e teatrit e të filmit në Kosovë, ndërkohë që, me kohëgjatësinë e saj, vepra e tij është një përmbledhje e begatshme e mendimit kritik për pjesën më të madhe të artistëve dhe krijuesve, të cilët, si bashkëkohanikë të tij, jetuan, vepruan dhe krijuan gjatë gjysmës së dytë të shekullit 20.
Shoqata e Artistëve të Teatrit të Kosovës vlerëson se vdekja e kritikut Vehap Shita është një humbje e madhe jo vetëm për kritikën teatrore dhe kinematografike kosovare, por edhe për gazetarinë, publicistikën, letërsinë, fushën e përkthimit dhe përgjithësisht për botën e letrave, për artin dhe kulturën kombëtare. Emri, jeta dhe vepra kritike, letrare, gazetareske e publicistike e z. Vehap Shita, sot dhe në të ardhmen, do të jenë pjesë e natyrshme e memories sonë kulturore, përmes të cilës ne, si një vlerë e veçantë dhe thellësisht profesionale, do të vazhdojmë t’i referohemi trashëgimisë së tij, pa të cilën nuk do të mund të shkruhet e as të interpretohet historia e teatrit kosovar.
Ne të gjithë lutemi, që shpirti i tij të pushojë në paqe të përjetshme!”, thuhet në telegramin e SHATK, të nënshkruar nga bordi i kësaj shoqate.
Vehap Shita, fillimisht punoi në Radio Prishtinë, pastaj ishte redaktor i kulturës në të përditshëm “Rilindja”, në “Jetën e Re” dhe në gazetën “Scena” të Novi Sadit, “Stremljenja” të Prishtinës dhe redaktor i shtëpisë botuese “Mustafa Bakia”.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte pjesëmarrës aktiv i Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe dy herë ra në burg, ndërsa më vonë u bë kryetar i Shoqatës së Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Ai gjithashtu është njëri prej themeluesve të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, si dhe bashkëthemelues i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.
Ishte anëtar i kryesive të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Lidhjes së Gazetarëve të Jugosllavisë, nënkryetar, kryetar i Shoqatës së Përkthyesve Letrar të Kosovës dhe pjesë e Shoqatës së Gazetarëve të Kosovës.
Ka botuar librat “Skena shqipe”, “Kur ndizen dritat”, “Gjurmëve të letërsisë” , ”Shkëndijat e para”, “Shtigjet e qëndresës”, “Drama shqipe”, “Traganja”, “Gjurimime”, antologjinë e poezisë së poetëve të nacionaliteteve të Kosovës të përkthyer në maqedonisht për Festivalin e poezisë në Strugë (Maqedoni), vëllimin e pjesëve teatrore “Fëmijët në skenë”, monografitë: “Zekeria Rexha – patriot humanist, intelektual emotiv” dhe “Emin Duraku – ‘Qëndresa’ për çlirim e bashkim kombëtar.
Ishte lektor e redaktor i shumë veprave letrare, ndërsa mori pjesë në shumë juri të festivale dhe teatrove në ish-Jugosllavi. Është është shpërblyer me dekorata, çmime e mirënjohje, ndër të cilat edhe me shpërblimin për kritikë letrare nga Këshilli Ekzekutiv i Kosovës, shpërblimet e “Jetës së re” e të “Rilindjes” për veprimtari letrare, publicistike e përkthime letrare, shpërblimin e Ministrisë së Kulturës së Republikës së Kosovës për teatër (2009), Mirënjohjen për vepër jetësore në fushën e letërsisë të Kuvendit të Komunës së Gjakovës (2008), me Mirënjohjen e Nëntorit të Kuvendit të Komunës së Prishtinës, etj.
Ai përktheu mbi 40 vepra nga shqipja në serbisht, përfshirë këtu “Kështjella”, “Kronikë në gur”, “Dimri i vetmisë së madhe” të Ismail Kadaresë, “Tregime” të Anton Pashkut, etj.










