Ndërtimi magjistralës Pejë-Gjakovë-Prizren nevojë e domosdoshme
Shoqata e Intelektualëve “Jakova” në Gjakovë, te dielen, ka organizuar Tryezën Shkencore me temë “Domosdoshmëria dhe arsyeshmëria e ndërtimit të magjistralës së Dukagjinit përkatësisht të rrugës Pejë-Gjakovë-Prizren”. Diskutuesit gjatë këtij takimi kanë dhënë arsyeshmërinë për nevojën e ndërtimit të një rruge të re, pasi sipas tyre Gjakova ka mbetur e harruar sa i përket lidhjeve me qytetet tjera të Kosovës. Rruga aktuale sipas diskutuesve nuk plotëson kushtet e reja, prandaj domodoshmërisht duhet ndërtimi i një rruge të re në këtë anë që lidhë disa qytete të Dukagjinit dhe Malësinë e Gjakovës. Me këtë rast do të nxiste zhvillimin ekonmik, por edhe do të përmirësonte sigurinë rrugore dhe do të ulët numri i aksidenteve, është thënë ndër të tjera në këtë tryezë. Sipas profesor Jahja Kokaj, kjo rrugë ka mbetur si një fyt ku ngulfatet komunikacioni, i cili në shekullin 21 është bazë e zhvillimit. Ai tha se lënja e pas dore e ndërtimit të kësaj rruge është diskriminim dhe një padrejtësi historike. Prandaj ai ka kërkuar që qeveria duhet të mendoj që kjo gjendje të ndryshoj.
Ndërkohë, Lekë Sina ekspert i komunikacionit, duke u ndërlidhur në debat, tha se kjo rrugë tash për tash nuk ka kapacitete të mjaftueshme për të përballaur të gjithë ngarkesën ditore. Sipas tij qarkullimi mesatar ditore në këtë rrugë është 5 mijë e 200 automjete të të gjitha llojeve. Për këtë arsye sipas Sinës ky numër tejkalon kapacitetet e qarkullimit dhe si rezultat i saj, krijohen kolona të gjata dhe aksidente të shumta. Ai ka thënë se ndërtimi i një rruge të re do të nxisë pëmirësim të jetesës së kësaj zone.