.
Published On: Mon, Sep 18th, 2017

Ndihmat sociale tani shpërndahen edhe në Postën e Kosovës

Share This
Tags

Rreth 970 familje me afërsisht 4 mijë anëtarë përfitues të ndihmës sociale nga skema e mbështetjes sociale në komunën e Gjakovës, që nga muaji i ardhshëm, ndihmën sociale do të mund ta marrin në sportelet e Postës së Kosovës.

Një gjë të tillë e ka bërë të ditur për Radio Gjakovën, Arben Rogova, menaxher rajonal i Postës së Kosovës në Gjakovë.

Nisur nga numri i madh i zyrave dhe sporteleve postare, sipas Rogovës, shfrytëzuesve të kësaj ndihme, do t’ju mundësojë ta kursejnë mundin dhe kohën të cilën e kanë humbur deri me tash.

Përfituesit mund të tërheqin ndihmat e tyre në 8 pika të Postës së Kosovës në të gjithë komunën e Gjakovës, përfshirë postën kryesore në qendër të qytetit ku do të jenë tre sportele, pastaj pikat te Spitali, në Çarshinë e Vogël, të Stacioni i Autobusëve, te sheshi “Agron Rama”, në Rogovë, etj.

Ndryshe, sipas Rogovës, Posta e Kosovës është duke bërë përpjekje dhe është afër marrëveshjes që edhe shpërndarja e pensioneve të fillojë të bëhet përmes zyrave postare, gjë e cila padyshim se do të reflektojë pozitivisht tek numri i madh i pensionistëve në Kosovë./radiogjakova/