.
Published On: Thu, Mar 13th, 2014

Në konferencën e donatorëve, Gjakova përmendet si komunë shembull

Share This
Tags

gjakova-donatoret

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi në hapjen e konferencës ka thënë se Gjakova dikur ka dhënë shumë për Kosovën , e tani, sipas tij, ka ardhur momenti që Kosova të jep më shumë për Gjakovën.

Duke e quajtur Gjakovën shembull i një komune për tërë rajonin tha se Qeveria ka obligim që të ofrojë mbështetje dhe ti sigurojë përkrahje të plotë.

“Kjo konferencë e donatorëve simbolizon diçka të veçantë për Kosovën dhe për tërë rajonin pasi është konferenca e parë që organizohet në një qytet, në nivel lokal dhe rajonal dhe Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për përkrahje strategjike në nivel lokal, të bashkërendimit me ato të nivelit qendror për krijimin e kushteve për zhvillimin e ekonomik të komunës, rritje të vendeve të punës dhe zhvillim të gjithmbarshëm”, ka thënë Thaçi.

Ai ka thënë se Gjakova gjatë historisë ka përjetuar rritje të mëdha ekonomike por edhe rënie të thella ekonomike si pasojë e luftës së fundit.

Vlora Çitaku, Ministre e Integrimeve Evropiane, ka treguar për kompetencat dhe angazhimet që i ka kjo ministri, e sidomos nga viti i kaluar kur në bashkëpunim me Komisionin Europian kanë krijuar mundësi shtrirje edhe në nivel lokal dhe duke u nisur nga kjo e dhënë edhe krijohen diskutime dhe harmonizime ndërmjet projektuesve dhe donatorëve, si dhe diskutime dhe debatime.

Ministrja Çitaku ka përmendur investimet prej donatorëve përgjatë tre viteve të shkuara në Komunën e Gjakovës, që kapin vlerën prej 12.6 milion euro në zhvillimin e arsimit, biznesit, infrastrukturës dhe bujqësisë.

Ndërsa kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari- Lila ka bërë prezantimin e gjendjes në Komunën e Gjakovës, jo vetëm atë aktuale por edhe në të shkuarën, si një ish qendër e zhvilluar ekonomike dhe me potenciale.

“Me këtë konferencë të tregojmë se pushteti lokal ka mundësi dhe kompetencë dhe njëherit falënderoj gjithë pjesëmarrësit që treguan vullnet të jenë prezent”, ka pohuar ajo.

Kusari-Lila ka vënë në pah kahet e zhvillimit të Komunës së Gjakovës, si një qytet digjital, qytet edukativ-arsimor, qytet kulturor dhe një Komunë e gjelbër.

Për këto pretendime që do të prezantohen në ditën e dytë të konferencës, mbi dyzet projekte, Kusari Lila ka bërë të ditur shtrirjen gjeografike, demografinë, historinë, kulturën dhe arsimin në Komunën e Gjakovës, si dhe gjendjen aktuale nga dëmet e luftës dhe pasojat që ende bartë, në radhë të parë në dëmet në të vrarë dhe në të zhdukur, si dhe ato materiale që pos pasurisë në prona banimi kanë shkatërruar dhe shkaktuar dëme të mëdha edhe në ekonomi.

Ajo ka shpjeguar gjendjen aktuale socio-ekonomike, sektori privat, infrastruktura, ish ndërmarrjet shoqërore dhe status i tyre, pastaj në bujqësi, ndërmarrje të mesme, energji, eko-turizëm, rini, sport, kulturë, shëndetësi dhe gjitha potencialet, respektivisht resurset humane, posaçërisht rininë./gexpress.