.
Published On: Wed, Dec 11th, 2013

Në pjesën e mbyllur për automjete, veturat kalojnë pa problem!

Share This
Tags

carshia-Gjakovë- Pas rivitalizimit të Çarshisë së vjetër, ishte paralajmëruar se kjo pjesë vitale e qytetit do të jetë e mbyllur për automjete dhe do të përdorej si një shëtitore. Bile për këtë organet komunale edhe patën marrë një vendim. Por, disa muaj pas përurimit të këtyre punimeve, ky vendim nuk po respektohet, e bile as që ka shenja se do të respektohet një ditë.

Me dhjetëra automjete parkojnë apo qarkullojnë brenda kësaj rruge duke i dhënë kështu një pamje të shëmtuar Çarshisë por mbi të gjitha edhe duke i penguar dhe rrezikuar kalimtarët dhe njerëzit që frekuentojnë lokalet hoteliere të kësaj pjese. Ky veprim negativ, ka filluar që nga përfundimi i punimeve e po vazhdon edhe gjatë këtyre ditëve, dhe gjatë tërë kësaj periudhe nuk është parë ndonjë përfaqësues i institucioneve përkatëse duke e bërë më të voglën përpjekje për ndërprerjen e kësaj dukurie.

Bile, të kontaktuar nga Radio Gjakova, zyrtarët përkatës nuk kanë pranuar ta mbajnë përgjegjësinë mbi vete, duke e hedhur atë dikund tjetër. Në Policinë e Kosovës, stacioni në Gjakovë, kanë thënë se kjo është një çështje e komunës, pasi duhet të jetë komuna institucioni që ndalon apo lejon qarkullimin në një rrugë të caktuar.

Nga ana tjetër, në komunë thonë se ata e kanë kryer detyrën e tyre duke vendosur shenjat e ndalimit dhe tashmë është detyrë e policisë që të garantojë respektimin e këtyre shenjave./radiogjakova/